Teksa flakët në landfillin e Elbasanit vijojnë të lëshojnë re tymi toksik mbi qytet, kryeministri Edi Rama ndodhet vetëm pak kilometra më larg, në një agroturizëm në Cërrik, ku po zhvillon një takim dyditor me ministra, kryebashkiakë dhe ekspertë mbi sektorin e bujqësisë.
Në takim marrin pjesë ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, ministri i Financave Petrit Malaj, kryetari i Komisionit të Ekonomisë Eduard Shalsi, si dhe figura të tjera politike si Bledi Çuçi dhe Niko Peleshi. I pranishëm është edhe rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, si dhe kryetarë bashkish nga Elbasani, Durrësi, Shkodra dhe Lushnja.
Fokusi i diskutimeve është mbi sfidat dhe mundësitë e sektorit të bujqësisë në kontekstin e zhvillimeve ekonomike dhe turizmit rural. Temat përfshijnë agroturizmin, blegtorinë, peshkimin, përpunimin agro-ushqimor, skemat kombëtare të mbështetjes, dhe riaktivizimin e fondeve të IPARD-it. Qeveria synon të analizojë edhe mënyrat për të përmirësuar dhe ristrukturuar financimin në këtë sektor jetik.
Ironikisht, ndërkohë që në Cërrik flitet për zhvillim të qëndrueshëm rural, situata mjedisore në Elbasan është në krizë. Zjarri në landfillin e mbetjeve pranë inceneratorit vijon prej më shumë se 24 orësh, duke shkaktuar ndotje të rëndë të ajrit dhe shqetësim masiv tek qytetarët. Ndërsa diskutohen strategji për një të ardhme të gjelbër, realiteti vetëm pak kilometra më larg është një krizë ekologjike që ende nuk ka marrë përgjigje.