FLASH :

Ekzekutohet me armë zjarri në mes të Athinës 47-vjeçari nga Gjirokastra, kishte precedentë penalë në Shqipëri dhe Greqi

Një 47-vjeçar nga Gjirokastra është ekzekutuar mbrëmjen e sotme në Athinë. Viktima është Artur Bashimi, person me precedentë penalë për vjedhje. Ai u qëllua me armë zjarri në rrugën “Mihail Voda 200”, në lagjen “Agio Pantaleimona”. Burime paraprake bëjnë me dije se Bashimi ka plagë me armë zjarri në kokë.

Forca të shumta të policisë greke kanë rrethuar vendin e ngjarjes dhe kanë nisur punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të saj.

Artur Bashimi rezulton i arrestuar në shkurt 2022 si pjesë e një grupi kriminal që kryente vjedhje në mjetet e transportit publik. Ai u arrestua sërish më pas, në prill 2024, po si pjesëtar i një grupi tjetër kriminal që vepronte në Greqi.

Viktima rezulton të jetë vëllai i 38-vjeçarit Marsel Bashimi, alias Marsel Shkurtaj, alias Marsel Gozhita person me precedentë të rëndë penalë në Shqipëri dhe Greqi.


Lidhja me Bledar Jambellin dhe vrasjen e Komisar Artan Cukut

Marsel Bashimi, në korrik 2022, u arrestua bashkë me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, si autorë të një ngjarjeje të rëndë me përdorim armësh në Greqi. Jambelli dhe Leci akuzohen në Shqipëri si autorë të vrasjes së Komisar Artan Cukut.


Ngjarja ku Bashimi bashkëpunoi me Jambellin e Lecin:

Më 22 janar 2022, Bledar Jambelli (42 vjeç, me shumë identitete), Marsel Bashimi (35 vjeç) dhe Kristaq Leci (34 vjeç), bashkë me dy persona të tjerë të panjohur, i janë bashkuar një grupi me qëllim takimi me dy shqiptarë në një furrë në Vuola, ndoshta për të zgjidhur mosmarrëveshje financiare.

Dy shqiptarët (viktima) kanë mbërritur në një automjet, të shoqëruar nga tre të huaj dhe tre grekë. Me të mbërritur, vetëm dy shqiptarët kanë zbritur, ndërsa të tjerët kanë qëndruar në makina.

Tre shqiptarët e tjerë të armatosur, përfshirë grupin e Jambellit, kanë zbritur nga një taksi tip Mercedes dhe një Hyundai i kuq, model “i30”, dhe janë ulur në kafene për të biseduar me viktimat.

Rreth orës 17:30, 34-vjeçari Leci ka goditur me grusht njërin prej viktimave, dhe më pas ka nxjerrë armën dhe thikën, duke i plagosur rëndë dy shqiptarët. Gjatë përleshjes ka ndërhyrë edhe grupi mbështetës, duke përdorur karrige dhe mjete të tjera për të ndalur sulmin. Megjithatë, Leci ka vazhduar të godasë me thikë njërin prej tyre në mënyrë të përsëritur.

Pas arratisjes nga vendngjarja, një nga viktimat është kthyer për të ndihmuar mikun e tij, por është qëlluar sërish me armë zjarri nga autorët. Dosja e hetimit përmban gjithashtu biseda telefonike komprometuese, ku Leci shprehet se do “ta godasë me thikë” dhe përdor gjuhë të dhunshme ndaj viktimës.


Profili kriminal i Marsel Bashimit – Shqipëri & Greqi

Në Shqipëri:

  • Në nëntor 2014, u arrestua për vjedhjen me dhunë të një 20-vjeçareje në Lazarat, ku i grabiti celularin nën kërcënimin e thikës.

Në Greqi:

  • Më 13.06.2007, kapet duke hyrë ilegalisht nga kufiri i Filatit.
  • Më 16.07.2009, arrestohet për grabitje, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge.
  • Më 26.08.2013, arrestohet dhe dëbohet për rrezikshmëri të lartë ndaj rendit publik.
  • Më 04.08.2019, kapet me dokumente të falsifikuara.
  • Më 11.08.2019, arrestohet për armëmbajtje pa leje – pistoletë dhe thikë.
  • Më 27.08.2021, sërish për armëmbajtje, pasi hodhi një thikë në kosh kur pa policinë.
  • Më 21.01.2022, kapet me thikë në pronësi.
  • Më 10.02.2022, akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë dhe dhunë ndaj zyrtarëve – sulmoi një person me thikë pas një aksidenti dhe i rezistoi arrestimit me dhunë.
  • Më 11.02.2022, emri i tij përfshihet në një dosje me 41 të pandehur për organizatë kriminale që kryente vjedhje të përditshme në stacione metroje, autobusë dhe trolejbusë.