FLASH :

Ekzekutimi i Paulin Harushës, identifikohet autori, shpallet në kërkim

Policia kanadeze ka identifikuar personin që ekzekutoi para pak ditësh shqiptarin Paulin Harusha në Toronto.

Policia e Torontos thotë se ka identifikuar një të dyshuar, i cili është shpallur në kërkim me urdhër-arresti në të gjithë Kanadanë, lidhur me vrasjen me paramendim të një personi që u qëllua për vdekje në makinën e tij javën e kaluar.

Pak para mesnatës së 13 shtatorit, policia tha se 43-vjeçari Paulin Harusha u gjet brenda një automjeti me plagë nga armë zjarri, pranë kryqëzimit të Victoria Park dhe Sheppard Avenue. Pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar jetën, Harusha ndërroi jetë në vendngjarje.

Sipas dëshmive, një fuoristradë me ngjyrë të çelët është parë duke u larguar nga zona pak para se të mbërrinin oficerët.

Hetuesit kanë identifikuar si të dyshuar 34-vjeçarin Meelad Tarin, ndaj të cilit tashmë është lëshuar një urdhër-arresti në shkallë kombëtare.

Detektivi Alan Bartlett, nga njësia e vrasjeve, u tha gazetarëve se natyra e marrëdhënies mes të akuzuarit dhe viktimës është ende nën hetim, por konfirmoi se mes tyre ka pasur “njëfarë njohjeje”.

Ai nuk pranoi të komentonte për ndonjë të kaluar kriminale të mundshme, as të akuzuarit dhe as të viktimës. Gjithashtu nuk zbuloi nëse është sekuestruar armë zjarri, por pohoi se në vendngjarje janë gjetur prova të qitjes me armë.

Bartlett shtoi se i dyshuari ka dalë nga automjeti i tij në një moment të caktuar, por nuk dha detaje mbi persona të tjerë të mundshëm të përfshirë.

“Unë mund t’ju them vetëm këtë: Zoti Harusha ka një familje që është e shkatërruar, ai ka miq. Humbja e tij ka lënë një boshllëk të madh në këtë familje,” tha Bartlett.