FLASH :

Ekzekutimi i ish-kryeparlamentarit ukrainas Andriy Parubiy, arrestohet një i dyshuar

Autoritetet ukrainase kanë arrestuar një person të dyshuar si autor i vrasjes së ish-kryeparlamentarit dhe politikanit Andriy Parubiy, i cili u ekzekutua më 30 gusht në qytetin Lviv.

Autoritetet ukrainase kanë arrestuar një person të dyshuar si autor i vrasjes së ish-kryeparlamentarit dhe politikanit Andriy Parubiy, i cili u ekzekutua më 30 gusht në qytetin Lviv. Identiteti i të arrestuarit ende nuk është bërë me dije, por raportohet se është arrestuar në rajonin perëndimor Khmelnytskyi.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pas një bisede me kryeprokurorin Ruslan Kravchenko, i cili informoi gjithashtu kreun e shtetit se i arrestuar kishte dëshmuar mbi ngjarjen, por pa dhënë më tepër detaje.

“Veprime urgjente hetimore janë duke u zhvilluar aktualisht për të përcaktuar të gjitha rrethanat e kësaj vrasjeje”, shkroi Zelensky, ndërsa falënderoi gjithashtu forcat e rendit dhe prokurorët për “punën pa ndërprerje”.

Ish-kryeparlamentari 54-vjeçar u ekzekutua me 8 plumba teksa po ecte në trotuar. Nga pamjet filmike në zonë, autori i vrasjes, një burrë i veshur me të zeza dhe i maskuar si korrier i kompanisë Clovo-s, iu afrua politikanit teksa ky i fundit po ecte në trotuar dhe e qëlloi me armë zjarri për vdekje.

Parubiy drejtoi Parlamentin nga viti 2016 deri në 2019 dhe më herët pati shërbyer si Sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes. Parubiy ishte ndër themeluesit e partisë së ekstremit të djathtë Svoboda dhe më vonë u afrua me grupet pro-evropiane, siç është “Atdheu” i Yulia Tymoshenkos.