FLASH :

U ekstradua nga Dubai/ I dënuar me burg përjetë për 3 vrasje, porositi edhe eliminimin e dhëndrit të ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini/ Kush është Florenc Çapja

Tiranë | 3 maj 2025 – Nën masa të rrepta sigurie, autoritetet shqiptare finalizuan ekstradimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe të një prej personave më të kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia shqiptare, Florenc Çapja, 44 vjeç.

Çapja mbërriti pasditen e së premtes, rreth orës 17:00, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Ai konsiderohet një nga figurat kyçe të krimit të organizuar në Elbasan dhe nipi i Ardian Çapjas, kreut të njohur të bandës së Çapjave.

Të dy, xhaxha e nip, janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Posaçme për porositjen e vrasjes së Nezir dhe Gentian Beqirit, baba e bir, të ekzekutuar më 12 gusht 2012 në banesën e tyre.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të udhëhequra nga prokurori Behar Dibra, vrasja është organizuar nga Ardian dhe Florenc Çapja. Ervis Bardhi dhe Olsi Leku u paguan me 50 mijë euro për atentatin, ndërsa Klajdi Dokli kishte ndjekur lëvizjet e familjes Beqiri për të informuar organizatorët. Po ashtu, Etien Cani ka ndihmuar duke sinjalizuar momentin kur nëna e viktimës u largua nga banesa.

Në momentin e atentatit, përveç nënës së viktimës, nga hyrja e pallatit ishin larguar dhe dy efektivët e policisë që bënin roje

SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të Florenc Çapjes

Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar konfiskimin e dhjetë pasurive të sekuestruara në pronësi ose në emër të familjarëve të Florenc Çapjes, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Pasuritë përfshijnë toka, ndërtesa, automjete dhe biznese, kryesisht të përqendruara në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan. Më konkretisht:

  1. Arë 500 m² në Udenisht, Pogradec – në emër të Ferit Muçës.
  2. Ndërtesë njëkatëshe me truall në Elbasan – në emër të babait të Florencit, Fejzulla Çapia.
  3. Truall dhe ndërtesë 1756 m² – në emër të prindërve të Florencit.
  4. Godinë banimi 2 kate + kat nëntokë, 498.8 m² truall – në emër të Fejzulla Çapjas.
  5. Ndërtesë social-ekonomike, 1 kat, 120 m² – në emër të Bledar Muçës.
    6–8. Tri parcela toke bujqësore (720 m², 764 m² dhe 1380 m²) – në emër të prindërve të Çapjas.
  6. Automjet tip Audi A8, prodhim i vitit 2008.
  7. Biznesi “Fejzulla Çapia” (P.F), me aktivitet Lavazh dhe Bar-Kafe në Elbasan.

Të gjitha pasuritë janë objekt i kërkesës për konfiskim në GJKKO, pasi nuk justifikohet prejardhja e tyre dhe dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale.