Denis Bajri Brajoviç, i njohur ndryshe edhe si Denis Bajri, pritet të ekstradohet sot nga Dubai drejt Shqipërisë, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga SPAK. 37-vjeçari, i akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe i konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, dyshohet se ka qenë autori i vrasjes së Gjin Ndojit në vitin 2020, një ngjarje e rëndë e përfshirë në dosjen “Metamorfoza”.
Bajri përballet me një sërë akuzash të rënda penale, përfshirë “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje”. Të gjitha këto dyshohet se janë kryer në bashkëpunim brenda një organizate kriminale të mirëstrukturuar. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest me burg”. Ekstradimi i tij shënon një tjetër zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të çmontuar rrjetet kriminale të dhunshme.
Policia bën me dije se detajet e ekstradimit mbahen sekret dhe në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër.
Komunikimet në aplikacionin “SkyECC” të zbardhura nga autoritetet franceze zbuluan se vrasja e Gjin Boriçit ishte organizuar nga Behar Bajri, ndërsa në rolin e ekzekutorit ishte Denis Bajri.
Në përgjime SPAK ka mundur të zbardh biseda që konfirmojnë autorësinë e vrasjes dhe që korrespondojnë fiks me oraret e ekzekutimit. Fillimisht, Denis Bajri në “SkyECC” njofton Behar Bajrin dhe i shkruan “kryvi”. Të njëjtin mesazh pak minuta më vonë ia nisën edhe Ervis Martinajt.
Për këtë vrasje, biznesmeni Pëllumb Gjoka ishte ai që pajtoi Behar Bajrin dhe Behari ia la porosi Denisit, në këmbim më pas Gjoka kërkoi vrasjen e ish policit të burgut, Kleanth Musabelliu, i cili shpëtoi. Behar dhe Gjin Boriçi ishin miq në atë kohë dhe pas vrasjes i shkoi në varrim.

