Çmimi real i apartamenteve në Tiranë duket se po ndikohet më shumë nga perceptimi se sa nga kërkesa apo oferta. Disa ndërtues dhe kompani të fuqishme ndërtimi po përdorin fushata intensive marketingu për të manipuluar opinionin publik dhe për të krijuar një iluzion rritjeje të çmimeve, veçanërisht në qendër të kryeqytetit dhe në kullat shumëkatëshe.
Këta ndërtues po investojnë në mënyrë të qëllimshme në media, duke sponsorizuar artikuj dhe lajme që përforcojnë idenë se çmimi për metër katror do të arrijë deri në 10 mijë euro. Një pretendim ky që nuk përputhet me realitetin aktual të tregut.
Eksperti i tregut të pasurive të paluajtshme, Erald Pipiria, ofron një panoramë krejt tjetër.
Sipas tij, rritja e çmimeve ka qenë mesatarisht 5 deri në 8 përqind në periudhën 2023-2024, një ngadalësim i dukshëm në krahasim me vitet e kaluara.
“Rritjet e çmimeve nuk janë më euforike si ato të vitit 2015, por janë 5 deri në 8 përqind në vitin 2023-2024. Pra, ritmet e rritjes janë ngadalësuar. Ajo që po them është se rritjet janë një shifrorë. Tregu ka një rritje prej 5-6 përqind, ku janë dy produkte: ai i ndërtesave ekzistuese dhe ai i ndërtimeve të reja,” u shpreh Pipiria në Euronews Albania.
Kjo situatë ngre shqetësime të mëdha për transparencën e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit. Në mungesë të një ndërhyrjeje rregullatore të mirëfilltë, ekziston rreziku që qytetarët të bien pre e një manipulimi të qëllimshëm, duke paguar çmime të fryra mbi një realitet artificial.