Burime të sigurta brenda Partisë Socialiste bëjnë me dije për një përplasje të nënkuptuar, por shumë reale, mes kandidatëve të listës së hapur të PS-së në qarkun e Tiranës. Në epiqendër të kësaj tensioni ndodhet Blendi Gonxhe, i cilësuar nga disa si “ujku i votave”, për shkak të fushatës së tij të fuqishme dhe agresive për votat preferenciale.
Gonxhe ka ndërmarrë një strategji intensive në terren, duke synuar të prekë çdo segment të elektoratit të majtë në Tiranë – qoftë edhe ato zona ku tradicionalisht kanë pasur mbështetje emra të rëndësishëm si Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj apo Erion Braçe. Ai i kërkon votat duke thënë që do jetë kryebashkiaku Tiranës në zgjedhjet e ardhshme
Kjo qasje ka shkaktuar pakënaqësi të theksuar, sidomos tek Braçe, i cili pas largimit nga Lushnja është zhvendosur në një realitet krejt tjetër – një Tiranë që nuk e njeh nga afër dhe që ka një profil tjetër elektoral. Ai ndjehet i rrezikuar jo vetëm nga pozicioni në listë, por edhe nga ndërhyrjet e Gonxhes në zona ku PS tradicionalisht “nuk eksperimenton”. Ndërsa Fatmir Xhafaj dhe Majko kanë zgjedhur një linjë më të heshtur, ata gjithashtu janë të shqetësuar për mënyrën si po zhvillohet gara brenda shtëpisë.
Burime të afërta me selinë rozë tregojnë se lajmet për këtë konflikt të heshtur kanë mbërritur deri në veshët e Kryeministrit Edi Rama, i cili thuhet se ka dhënë porosi të qartë në një takim të brendshëm: “Mos dua të dëgjoj për sherre mes jush, punoni për numrin 5 dhe për rezultatin kombëtar”.
Por edhe pse thirrjet për unitet janë bërë të qarta, tensionet në terren vazhdojnë. Braçe ka mbajtur një profil më të ulët në publik, por brenda strukturave ka shprehur hapur pakënaqësitë e tij.
Gonxhe, nga ana tjetër, ka refuzuar të komentojë mbi zërat e pakënaqësisë, duke u fokusuar në fushatën e tij. Ai ka qenë aktiv në takime me qytetarët, vizita në lagje, dhe është parë i shoqëruar nga figura të reja të PS-së, duke dhënë mesazhin e një riorganizimi dhe modernizimi të profilit politik socialist në kryeqytet.
Fushata në Tiranë pritet të jetë një nga më të nxehtat, jo vetëm për përballjen me opozitën, por edhe për betejën brenda vetë listës së PS-së, ku lufta për votat preferenciale ka tejkaluar kufijtë e zakonshem. Me sistemin e listave të hapura, gara nuk është më vetëm politike – por edhe personale.







