Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, Partia Demokratike po përjeton tensione të brendshme në qarkun më të madh elektoral të vendit: Tiranën. Burime pranë PD-së bëjnë me dije se një përplasje e heshtur ka nisur mes kandidatëve kryesorë të listës së hapur, ku në qendër të vëmendjes është mjeku Ilir Alimehmeti, i cili po zhvillon një fushatë agresive në të gjitha njësitë e kryeqytetit, duke sfiduar shpërndarjen zonale të caktuar nga partia.
Sipas burimeve konfidenciale, emra të tjerë të listës si Dhurata Çupi dhe Shpëtim Idrizi janë ndjerë të përjashtuar nga “pushtimi territorial” i Alimehmetit, i cili, përkundër ndarjes së brendshme, ka shfaqur postera, ka organizuar takime dhe dalje publike në zona që zyrtarisht i përkisnin kolegëve të tij. Kjo ka çuar në pakënaqësi të theksuara dhe në një takim të mbyllur me Sali Berishën, ku disa kandidatë kanë shprehur hapur ankesat e tyre.
Burime brenda selisë blu bëjnë me dije se Berisha ka zhvilluar një bisedë personale me Alimehmetin, duke e këshilluar që të tregojë kujdes në mënyrën se si e menaxhon fushatën për të mos dëmtuar frymën e bashkëpunimit brenda listës. Megjithatë, burime pranë kampit të Alimehmetit theksojnë se kandidati po ndjek vetëm strategjinë e një “fushate të hapur, qytetare dhe gjithëpërfshirëse”, duke shfrytëzuar hapësirat që ofron sistemi me lista të hapura.
Kjo situatë ka nxitur diskutime edhe brenda vetë strukturave të PD-së, ku disa e konsiderojnë këtë qasje si një shenjë të forcës politike të Alimehmetit, ndërsa të tjerë e shohin si një shkelje të etikës brendapartiake.
Analistët politikë parashikojnë se Ilir Alimehmeti mund të dalë si kandidati i dytë më i votuar i PD-së në Tiranë, pas Jorida Tabakut që shihet si favoritja kryesore për të marrë më shumë vota në listë.
Fushata në PD Tiranë po merr përmasa gjithnjë e më individualiste, dhe zgjedhjet e këtij viti mund të jenë një provë e fortë për unitetin dhe strategjinë e forcës më të madhe opozitare në vend.







