FLASH :

Ekskluzive: Ja plani i hekurudhës europiane qe kalon nga Tirana

Në vitin 2040, mund të hipni në një tren të shpejtë në Tiranë dhe të zbrisni në Madrid, Berlin apo Kopenhagen, brenda pak orësh. Kjo nuk është më fantazi është pjesë e një vizioni të ri për një rrjet hekurudhor pan-evropian, që synon të lidhë 39 qytete kryesore të Europës, përfshirë edhe Tiranën. Projekti, i quajtur Starline, është konceptuar nga think-tanku danez “21st Europe”, i cili propozon një rrjet hekurudhor me shpejtësi të lartë, të organizuar si një “metro kontinentale”, që do të funksionojë me frekuenca të larta, orare të koordinuara dhe përvojë të unifikuar për udhëtarët.

Në zemër të këtij vizioni janë pesë korridore hekurudhore të shpejtësisë së lartë, që përshkojnë kontinentin dhe lidhin qytetet më të rëndësishme në mënyrë efikase, të qëndrueshme dhe moderne. Të gjitha linjat do të kalojnë përmes nyjeve kryesore si Parisi, Berlini, Roma, Athina, Amsterdami, Londra, dhe po, edhe Tirana. Trenat do të udhëtojnë me shpejtësi 300–400 km/h, duke e kthyer udhëtimin mes qyteteve europiane në një përvojë më të shpejtë se fluturimet me avion, sidomos në distancat e mesme.

Futja e Tiranës në këtë rrjet do të jetë një moment historik për Shqipërinë. Jo vetëm që vendi do të përfshihet në një sistem udhëtimi ultra-modern, por kjo do të ndikojë fuqishëm në zhvillimin ekonomik, turistik dhe infrastrukturor të vendit. Për studentët, profesionistët dhe bizneset shqiptare, kjo do të thotë akses i menjëhershëm dhe i thjeshtuar në zemrën e Europës.

Starline synon të zëvendësojë deri në 80% të fluturimeve të shkurtra në Europë, duke kontribuar në objektivin e kontinentit për neutralitet klimatik deri në vitin 2050. Të gjitha trenat do të funksionojnë me energji të rinovueshme, dhe stacionet do të jenë të dizajnuara me standarde të larta mjedisore e teknologjike. Duhet theksuar se ky projekt është një vizion strategjik, jo ende një projekt i financuar zyrtarisht. Megjithatë, ideja po fiton mbështetje në qarqet akademike dhe politike, dhe është parë si një nismë frymëzuese për të ndërtuar një Europë të lidhur realisht, jo vetëm politikisht.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, rrjeti mund të jetë funksional brenda vitit 2040, por do të kërkojë bashkëpunim mes shteteve, fonde masive dhe përkushtim afatgjatë. Për Shqipërinë dhe shqiptarët, ky projekt nuk është vetëm për të udhëtuar më shpejt është për t’u bërë pjesë e një Europe që ëndërrohet prej dekadash. Në vitin 2040, ndoshta nuk do të na duhet më as pasaportë për të kaluar kufirin mjafton bileta e trenit nga Tirana në EU.