Rafah, Egjipt —
Zhvendosja e palestinezëve nga Rripi i Gazës është një “vijë e kuqe” dhe Kajro nuk do të lejojë askënd të rrezikojë sigurinë kombëtare apo sovranitetin e Egjiptit, deklaroi të hënën ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty.
Në një intervistë ekskluzive për CNN nga qyteti verior egjiptian El-Arish, pranë kufirit me Gazën, Abdelatty tha se Egjipti po punon “nëpërmjet kanaleve të ndryshme, me një objektiv të vetëm: lehtësimin e vuajtjeve të popullit palestinez”, duke shtuar se emigrimi masiv i palestinezëve nga Gaza nuk do të tolerohet nga vendi i tij.
“Ne nuk do ta pranojmë, nuk do të marrim pjesë në të dhe nuk do ta lejojmë të ndodhë,” tha Abdelatty për CNN, duke shtuar se zhvendosja do të ishte një “biletë njëdrejtimëshe” për palestinezët jashtë Gazës, çka do të çonte në “shuarjen” përfundimtare të çështjes palestineze.
Qeveria izraelite nuk ka paraqitur kurrë një plan të qartë për të ardhmen e Gazës pas luftës, por kryeministri Benjamin Netanyahu ka mbështetur vazhdimisht idenë e zhvendosjes së palestinezëve në vende të tjera — sidomos pas sugjerimit të presidentit amerikan Donald Trump në fillim të këtij viti. Edhe pse Trump më pas u tërhoq nga ideja, zyrtarët izraelitë e kanë përqafuar atë.
Egjipti është e vetmja dalje e Gazës në botën e jashtme, pasi Izraeli e ka bllokuar territorin nga toka, deti dhe ajri. Kajro është përballur me presion të madh publik për të lehtësuar vuajtjet e palestinezëve dhe ka fajësuar vazhdimisht Izraelin për bllokimin e ndihmave, ndërsa mijëra kamionë ndihme kanë mbetur të bllokuar në kufi.
I pyetur nëse lufta rrezikon traktatin e paqes mes Egjiptit dhe Izraelit, Abdelatty u përgjigj se Kajro “po respekton dhe nderon detyrimet sipas traktatit të paqes”, por shtoi se “çdo lloj zhvendosjeje do të ishte një rrezik i madh dhe ne nuk do të lejojmë asnjë palë të rrezikojë sigurinë dhe sovranitetin tonë kombëtar… në kufirin tonë.”
Deklaratat e ministrit janë ndër më të ashpërit që nga momenti kur Izraeli njoftoi javën e kaluar se është në bisedime me disa vende për të pranuar palestinezë të zhvendosur nga lufta. “Nëse izraelitët ia dalin t’i zhvendosin ata, ju siguroj se kjo do të jetë fundi i çështjes palestineze,” tha ministri i jashtëm egjiptian.
Egjipti ishte shteti i parë arab që njohu Izraelin në vitin 1979. Javën e kaluar, Netanyahu tha se janë duke u zhvilluar bisedime me disa vende për të pranuar palestinezë të zhvendosur.
Një zyrtar i lartë izraelit i tha CNN-it se në këto bisedime janë përfshirë Sudani i Jugut, Somaliland, Etiopia, Libia dhe Indonezia. Në këmbim të pranimit të një pjese të popullsisë së Gazës, që tejkalon 2 milionë banorë, këto vende kërkojnë “kompensim të konsiderueshëm financiar dhe ndërkombëtar”.
Nuk është e qartë se sa të avancuara janë këto diskutime dhe nëse do të konkretizohen. Sudani i Jugut ka mohuar më herët që të ketë zhvilluar ndonjë bisedë për zhvendosjen e palestinezëve, duke i cilësuar si “të pabaza”. Indonezia ka deklaruar se është e gatshme të presë 2,000 palestinezë për trajtim mjekësor, por që do të kthehen në Gaza pas rikuperimit. Edhe Somaliland më herët këtë vit ka mohuar çdo lloj negociate të tillë.
“Nuk ka partner për paqe”
Abdelatty tha se edhe pse Egjipti mban kontakt me Izraelin në nivelet e sigurisë dhe inteligjencës, nuk ka parë ndonjë dëshirë politike për të përfunduar luftën.
“Fatkeqësisht, aktualisht nuk kemi një partner për paqe në Izrael dhe për zgjidhjen me dy shtete,” tha ai. “Në kabinetin izraelit sot kemi ministra që nuk besojnë në zgjidhjen me dy shtete.”
Ministrat e ekstremit të djathtë në Izrael, përfshirë ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, dhe ministrin e Financave, Bezalel Smotrich, kanë bërë thirrje për zgjerimin e luftës në Gaza dhe emigrimin e palestinezëve nga enklava — një qëndrim që kritikët e kanë cilësuar si spastrim etnik.
Abdelatty tha se negociatat për armëpushim dhe marrëveshje për pengjet janë ende në vijim, duke shtuar se “kemi arritur një lloj mirëkuptimi për pjesën më të madhe të çështjeve kryesore” lidhur me propozimin e fundit të dërguar nga i dërguari amerikan Steve Witkoff.
Muajin e kaluar, SHBA dhe Izraeli tërhoqën ekipet negociatore nga Katari, ku po zhvilloheshin bisedimet, pasi Witkoff deklaroi se përgjigjja e fundit nga Hamasi “tregon qartë mungesën e vullnetit për të arritur një armëpushim.”
Ministri i jashtëm egjiptian tha se Kajro mbështet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do t’i jepte fund luftës, do të kthente pengjet, do të lironte të burgosurit palestinezë dhe do të lejonte hyrjen e ndihmave. Kërkesa e Izraelit për çarmatimin e menjëhershëm të Hamasit, sipas tij, është një kusht “i pamundur” në këtë fazë.
“Izraeli këmbëngul për çarmatimin e Hamasit tani. Kush do ta bëjë? Si mund të realizohet kjo në terren?” tha ai, duke shtuar se Izraeli ka tentuar ta eliminojë grupin përmes një fushate bombardimi 22-mujore dhe sërish ka dështuar.
“Duhet të shtyjmë përpara tani (për marrëveshje),” tha Abdelatty. Ai konfirmoi se një delegacion i Hamasit ndodhet aktualisht në Kajro dhe se bisedimet janë në zhvillim me Katarin, SHBA-në dhe Izraelin.
“Ne mund të kemi një marrëveshje, nëse ekziston vullneti politik.”
“Kur hyn këtu… nuk mund të largohesh më”
Të hënën, CNN raportoi për dhjetëra kamionë ndihmash që ndodheshin në radhë përgjatë rrugës drejt pikës kufitare Rafah me Gazën, ku shumë autokolona kanë mbetur të bllokuara për javë apo muaj të tërë, duke bërë që ndihmat ushqimore të skadojnë.
Abdelatty tha se janë rreth 5,000 kamionë ndihmash në anën egjiptiane të kufirit që presin të hyjnë në territorin e bllokuar, por se “izraelitët nuk po lejojnë hyrjen e tyre.”
Tre shoferë kamionësh i thanë CNN se kanë më shumë se një javë që presin lejen për të kaluar.
Medhat Mohamed, baba i tre fëmijëve, tha se kamioni i tij u kthye mbrapsht të mërkurën pas një refuzimi nga ushtria izraelite. Ai ka qëndruar për tri javë pranë kufirit në anën egjiptiane.
“Kur je këtu me kamionin, nuk mund të largohesh,” i tha CNN-it. “Ose ndihmat e tua aprovohen dhe ti largohesh, ose rri pranë kamionit – kjo mund të zgjasë javë apo muaj.”
Ai shtoi se kjo është e vetmja gjë që mund të bëjë për të ndihmuar popullatën e uritur të Gazës.
“Nuk bëhet fjalë për para – mund të fitojmë më shumë në Kajro. Jemi këtu sepse duam të ndihmojmë sa të mundemi popullin në Gaza.”
Një shofer tjetër, Mohamed Fawzy, tha për CNN se kishte ngarkuar shtretër për kujdes intensiv, por që u refuzuan katër herë nga autoritetet izraelite.
Amal Imam, drejtore ekzekutive e Kryqit të Kuq Egjiptian, tha për CNN se shtretërit dhe ndihmat e tjera të refuzuara ishin paraprakisht miratuar nga autoritetet izraelite, por më pas u kthyen mbrapsht me justifikimin se përmbanin metal dhe plastikë.







