Kandidati i Partisë Demokratike në Fier, Fatjon Semanjaku, është shoqëruar pak minuta më parë në komisariatin e policisë, pas një përplasjeje me punonjësit e policisë bashkiake. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit, ku Semanjaku kundërshtoi heqjen e një banderole elektorale të vendosur nga PD.
Për të shmangur përshkallëzimin e situatës, forcat e policisë ndërhynë dhe e shoqëruan kandidatin në ambientet e komisariatit, ku më pas ai është lënë i lirë.
Partia Demokratike e ka cilësuar këtë ngjarje si një “ndalim me urdhër politik”, duke akuzuar qeverinë se po përdor strukturat shtetërore për të penguar fushatën e opozitës.
Pas incidentit të ndodhur në Fier me shoqërimin e kandidatit Fatjon Semanjaku nga Policia e Shtetit, ka reaguar me tone të ashpra Drejtuesi Politik i Qarkut të Fierit për Partinë Demokratike, Gazment Bardhi.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi ka denoncuar atë që e cilëson si “pengim politik të fushatës së opozitës”. Sipas tij, kandidatët e PD-së dhe Aleancës për Shkollën Moderne (AShM) janë të vetmit që po përballen me barriera të qëllimshme nga shteti.
“Kandidatët tanë po pengohen të bëjnë fushatë zgjedhore sipas formave demokratike që ata zgjedhin. Ndërkohë disa partiçka të vogla nuk kanë lënë shesh publik pa vendosur tenda, por vetëm Partia Demokratike dhe AShM – të vetmit subjekte që realisht rrezikojnë Edi Ramën – po ndalohen e po shoqërohen nga policia,” – deklaroi Bardhi.
Ai e dënoi me forcë shoqërimin e Semanjakut nga Policia e Shtetit, duke e konsideruar si një akt të pastër politik që tregon, sipas tij, frikën e qeverisë përballë votës së lirë.







