Në fillim të majit 2025, shqiptarët u zgjuan me nisjen e Giro d’Italia, nga Albania, e cila për herë të parë e paguar miliona euro takes, nisi në vendin tonë. Më 9 maj, gara startoi nga Durrësi dhe përfundoi në Tiranë, duke kaluar një distancë sfiduese prej 160 km ku komentatorët e huaj vetëm se vinin në dukje kushtet e vështira të asfaltit. Asfalti i atyre që ne i quajmë autostrada por kurrë nuk ankohemi.
Por, ndërsa Giro shëtiste në Vlorë dhe pamjet televizive pikturonin rrugët e mbushura me rrota dhe flamuj, më 11 maj, shqiptarët votuan për Parlamentin e ri. Nën zhgënjimin e kutive të hapura, Partia Socialiste e udhëhequr nga Edi Rama arriti 52% të votave, një rezultat që do t’i siguronte atij një shumicë të qëndrueshme në Kuvend. Megjithatë, raportet e OSBE/ODIHR vunë në dukje “abuzimin e thellë të burimeve publike, shtrëngimin apo trysnimin e votuesve dhe presionin mbi punonjësit e administratës shtetërore”, duke i hequr votës integritetin minimal që presin qytetarët.
Vetëm pesë ditë më vonë, më 16 maj, Tirana u shndërrua në seli të Samitit të Komunitetit Politik Europian. Në Sheshin Skënderbej, Edi Rama mirëpriti 45 krerë shtetesh dhe qeverish, mes të cilëve Presidentin e Këshillit Evropian António Costa dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, nën moton “Europa e Re në një Botë të Re”. Çdo detaj, nga logot e ngjyrave europiane te protokolli i ceremonive, u mobilizua për të krijuar sfondin e një Shqipërie aspiruese drejtë BE-së.
Nisja e Giro-s, kutitë e votimit të kontestuara dhe rrëmuja e bllokimit te kryeqytetit dhe sheshit Skënderbej brenda 2 javësh përbëjnë një maratonë spektakli politik. Nga pamja e parë, duket sikur kryeministri po prezanton në radhë një festival zhvillimi dhe integrimi. Por, për të shumtën e shqiptarëve, ky cirk vjen mbi një realitet të rëndë: infrastruktura që pret investimet e ngrëna nga korrupsioni, emigracioni i lartë, papunësia e të rinjve dhe mungesa e besimit në proceset politike ne mungese të një rotacioni te vonuar.
Giro d’Italia u shndërrua në një mjet PR-i për të maskuar mungesën e rrugëve dhe shërbimeve. Zgjedhjet, së paku në pamje, u përdorën për të konsoliduar pushtetin përmes manipulimeve të denoncuara. Samiti europian, në anën tjetër, u promovua si dëshmi e progresit, me gjithë shqetësimet se demokracia jonë s’ka për të hyrë në BE pa reforma thelbësore të integritetit zgjedhor.
Ky “cirku i zgjedhjeve” dhe radhitja e festivalit diplomatiko-sportiv kalojnë kufijtë e racionales dhe depërtojnë deri tek tendenca për t’i dhënë formë një kulturore mediatike ku s’ka vend për debat themelor. Aty ku duhet diskutim serioz për energjitikën, shëndetësinë, arsimin dhe drejtësinë, ne shohim një shfaqje me vizatimet kalamaneske të Ramës në sfondin e skenës.
Rama është aq i kapluar nga parimi bukë e cirk, sa nuk e kutpton që e ka tepruar dorën. I ka hedhur më shumë kripë, spektaklit, se c’ përtyp ky popull. I duhet thënë “mjaft” kësaj estetike banale. Shqiptarët kërkojnë një axhendë të sinqertë: rrugë të rregulluara, lehtësi për fermerët, mundësi punësimi në vend, shkolla funksionale për fëmijët dhe gjykata që funksionojnë në shërbim të qytetarëve jo vetëm lajme bombastike të stafeta sportive ose konferenca luksi. Por ja që zgjedhjet i dhanë të drejtë Ramës, ky popull në fakt është i lumtur vetëm me bukë e cirk.







