FLASH :

‘Edhe rajoni po digjet’, por Greqia sjell mjetet zjarrfikëse që Shqipëria nuk i ka

Ndërsa kryeministri Edi Rama shpjegonte se “edhe rajoni po digjet” për të relativizuar situatën e zjarreve në vend, Greqia ka treguar se ka edhe një mënyrë tjetër për t’u përballur me flakët: të kesh mjete zjarrfikëse dhe t’i përdorësh.

Ambasada greke në Tiranë njoftoi se po monitoron situatën alarmante në Shqipëri dhe, brenda kapaciteteve të saj, ka kontribuar me mjete ajrore zjarrfikëse për shuarjen e zjarreve. Ndihma po jepet si pjesë e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve.

Ndërkohë, Shqipëria, që prej ditësh ndodhet nën pushtetin e flakëve në Delvinë, Gramsh dhe zona të tjera, vazhdon të përballet me mungesën e kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve.

“Ambasada e Greqisë në Shqipëri shpreh ngushëllimet e saj të sinqerta vendit mik dhe fqinj, Shqipërisë, dhe monitoron situatën me frontin e gjerë të zjarreve në vend. Në frymën e bashkëpunimit dhe solidaritetit, Greqia, brenda kuadrit të kapaciteteve të saj, kontribuon në përpjekjen për të shuar zjarret me mjete ajrore zjarrfikëse, si në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ashtu edhe në kontekstin e bashkëpunimit dypalësh.
Mendimet tona janë me popullin shqiptar”
, thuhet në postim.