FLASH :

E tmerrshme në Brazil: Gruaja abuzuar seksualisht për 9 muaj nga policët, në prani të foshnjës

Një 29-vjeçare nga komuniteti indigjen Kokama në Amazonë ka deklaruar se është përdhunuar në mënyrë sistematike nga oficerë policie për nëntë muaj rresht, ndërsa mbahej në një qeli me burra në një komisariat të izoluar në Santo Antonio do Iça. Ajo thotë se u bë “skllave seksi” e efektivëve, të cilët e dhunonin edhe në prani të foshnjës së saj të sapolindur.

Gruaja ishte arrestuar me akuza për dhunë në familje, por pas mbërritjes në komisariat iu komunikua një urdhër-arresti i mëparshëm dhe u fut në një qeli me burra. Sipas avokatit të saj, përdhunimet ndodhën në të gjitha ambientet e komisariatit — nga kuzhina deri në dhomën e armëve. Ajo tentoi disa herë vetëvrasjen dhe sot, dy vjet më pas, vuan ende nga pasoja fizike dhe psikologjike të rënda. Viktima ka identifikuar katër policë dhe një roje bashkiake si autorët e sulmeve dhe kërkon një dëmshpërblim prej 67 mijë paundësh. Autoritetet braziliane kanë nisur hetimet.