FLASH :

“E shpenzova trashëgiminë për një karavan tek ‘cigani më i pasur’ i Britanisë – tani më thonë se nuk mund ta shes kurrë dhe humbas mijëra çdo vit”

Një pensioniste britanike ka rrëfyer zhgënjimin e thellë pasi humbi mbi 50,000 paund, pasi investoi trashëgiminë e babait të saj në një karavan që, sipas saj, nuk mund të shitet më. Debbie Mularczyk, 67 vjeç, e cila është një infermiere dhe mamíe e pensionuar nga Somerset, bleu në vitin 2022 një karavan të përdorur prej 12 vitesh në “SeaView Holiday Park” në Cornwall, që është pjesë e rrjetit Wyldecrest Parks, i themeluar nga miliarderi vetëquajtur “cigani më i pasur”, Alfie Best.

Ajo thotë se iu premtua nga drejtuesit e parkut se karavani prej 32,000 paundësh do të ishte një “investim i sigurt”, që do t’i sillte fitim përmes dhënies me qira dhe më pas me shitje. Por vetëm dy vite më vonë, në 2024, Debbie u njoftua se nuk mund ta shiste më, pasi ishte “shumë i vjetër” – me një klauzolë në kontratë që ndalon shitjen e çdo karavani mbi 10 vjeç. “U shkatërruam financiarisht, këto ishin paratë që na kishte lënë babai,” tha ajo. “Menduam se do të ishte një vend për pushime për familjen, por tani është kthyer në një barrë.”

Mularczyk ka provuar të kompensojë humbjen përmes qirasë në Airbnb, por të ardhurat nuk mjaftojnë për të mbuluar tarifat e parkimit, që arrijnë 5,500 paund në vit – një shumë që tani pritet të rritet me 8% nga shtatori. Ajo thotë se është përpjekur vazhdimisht të kontaktojë me kompaninë, por pa asnjë përgjigje. “Do na duhet thjesht ta mbyllim dhe të largohemi… kemi humbur gjithçka,” shton ajo. Për më tepër, gjendja e parkut është përkeqësuar: “Tani duket i braktisur. S’ka më pishinë, fusha tenisi është zhdukur, restoranti sapo ka hapur, lodrat për fëmijë janë të prishura.”

Debbie është një nga shumë pronarët e karavanëve që kanë denoncuar publikisht skema të ngjashme, duke pohuar se kanë humbur kursimet e jetës. Ndërsa themeluesi Alfie Best është zhvendosur në Monte Carlo dhe ka deklaruar se nuk planifikon të kthehet më në Britani, pasi preferon të investojë në vende që, sipas tij, “vlerësojnë më shumë sipërmarrësit”. Wyldecrest Parks ka refuzuar të komentojë mbi rastin.