FLASH :

“E rëndë për t’u mbajtur?” – SZA turpërohet në skenë dhe sulmohet brutalisht për trupin nga fansat pas incidentit në turin botëror

Këngëtarja e njohur amerikane SZA u përball me një moment të vështirë dhe sulme të ashpra në internet pas një incidenti të papritur në natën hapëse të turit të saj botëror me Kendrick Lamar. Gjatë performancës në Minneapolis të shtunën mbrëma, artistja 35-vjeçare pothuajse u rrëzua në skenë pasi balerini që e shoqëronte humbi ekuilibrin teksa po e ngrinte atë në ajër gjatë një koreografie komplekse.

Pamjet e publikuara nga Pop Crave treguan momentin kur dyshja luhatet për disa sekonda në mënyrë të rrezikshme, përpara se të rikthejnë balancën dhe të vazhdojnë shfaqjen me profesionalizëm. Por ndryshe nga reagimi për të duartrokitur rikuperimin e saj të shpejtë, shumë përdorues në rrjet u fokusuan tek trupi i saj, duke bërë komente të pamëshirshme dhe ofenduese. “Vajzat e mëdha nuk duhet të bëjnë këtë lloj akrobacie,” shkroi një komentues, ndërsa të tjerë kërkuan pushimin nga puna të balerinit që nuk e mbajti dot në ajër.

Megjithatë, shumë fansa dolën në mbrojtje të këngëtares fituese të Grammy-t, duke theksuar se ajo u rikuperua me dinjitet dhe vazhdoi shfaqjen pa u ndikuar. “Internetin e ka zënë urrejtja. Ajo nuk u lëndua dhe bëri shfaqjen e saj deri në fund. Çfarë keni me të?” shkroi një fans i zjarrtë. Të tjerë theksuan se videoja ishte shpërndarë në mënyrë tendencioze: “E vetmja gjë që postoni nga turi është një rrëshqitje e vogël, dhe kjo është e turpshme nga ana juaj.”

SZA nuk ka reaguar ende publikisht për ngjarjen, ndërkohë që turi “Grand National Tour” do të vazhdojë në Amerikën e Veriut deri më 18 qershor, përpara se të zhvendoset në Europë, me ndalesa në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Spanjë, Itali, Zvicër dhe vende të tjera. Një rrëzim i vogël, por një stuhi e madhe në internet – SZA tregoi se edhe kur skena lëkundet, ajo qëndron në këmbë.