FLASH :

E rëndë në Vlorë, ekzekutohet me armë zjarri pranë banesës 58-vjeçari. Punonte roje në një objekt në ndërtim!(Emri)

Sot, rreth orës 06:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, në rrugë, në afërsi të banesës së tij, është gjetur pa shenja jete, dyshohet i vrarë me armë zjarri, shtetasi Renato Hoxhaj 58 vjeç, i cili ishte i punësuar dhe si roje në një objekt në ndërtim pranë banesës së tij.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Gazetari i Report TV, Armand Xhelil thotë se Hoxhaj ka marrë plumb në kokë ndërkohë që nuk dihet ende me çfarë lloj arme është qëlluar pasi banorë të zonës nuk kanë dëgjuar të shtëna. Sipas gazetarit, Hoxhaj nuk ishte një emër i njohur për policinë, megjithatë po hetohet nëse  mund të ketë pasur probleme në të kaluarën. Policia po kontrollon kamerat e sigurisë së zonës, për të parë nëse kanë kapur ndonjë gjurmë të autorit/ve. 
58-vjeçari jetonte vetëm pasi ishte i divorcuar prej vitesh dhe ishte baba i dy fëmijëve të rritur. Nga banorët njihej si njeri i mirë dhe pa probleme.