FLASH :

E qëlluan për vdekje gjatë transmetimit live: Vritet influencerja e njohur meksikane në sallonin e saj të bukurisë

Një krim i tmerrshëm tronditi Meksikën të hënën, kur influencerja dhe estetistja 23-vjeçare Valeria Marquez u vra me armë zjarri gjatë një transmetimi live në TikTok, në sallonin e saj të bukurisë “Blossom the Beauty Lounge”, në shtetin perëndimor Jalisco.

Pamjet tronditëse tregojnë momentin kur Valeria, duke folur e buzëqeshur me ndjekësit, shikon nga dritarja dhe në çast qëllohet me plumba – një herë në kraharor dhe dy herë në kokë. Ajo përpiqet të ndalojë gjakderdhjen duke vendosur dorën te plaga, përpara se të rrëzohet pa ndjenja.

Autori i dyshuar hyri në sallon, qëlloi mbi të dhe u arratis me motor. Paramedikët mbërritën shpejt, por e shpallën të vdekur në vend. Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur një hetim të gjerë ndërsa një operacion kërkimi për autorin është në zhvillim.

Valeria kishte mbi 110 mijë ndjekës në TikTok, ku ndante këshilla bukurie dhe momente nga përditshmëria. Vrasja e saj shton edhe një rast të dhunës mizore ndaj grave në një vend që po përballet me një krizë të thellë të sigurisë gjinore.

Vetëm pak ditë më parë, kandidatja për kryetare bashkie nga partia qeverisëse Morena, Yesenia Lara Gutierrez, u vra bashkë me vajzën e saj dhe tre mbështetës të tjerë gjatë një mitingu elektoral në Veracruz. Ngjarja ndodhi po ashtu live në Facebook, duke e thelluar frikën mes qytetarëve për valën e dhunës që po rrethon fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 1 qershorit.

Presidentja Claudia Sheinbaum dënoi sulmet si “akte terroriste” dhe premtoi mbështetje federale për hetimet, ndërsa qeveria e Veracruz-it bëri thirrje për drejtësi.

Në sfondin e këtyre vrasjeve, Meksika po përballet me një valë të rrezikshme dhune ndaj grave dhe figurave publike – nga influencueset e rrjeteve sociale deri te kandidatët për poste politike.