FLASH :

E përbindëshuar nga qentë që duhej të kujdesej: Vajza që u kafshua 800 herë ndan historinë e mbijetesës pas katër vitesh dhe 28 operacionesh

Jacqueline Durand ishte vetëm 21 vjeçe kur fytyra iu shqye nga dy qen që ajo ishte punësuar t’i ruante. Katër vite pas sulmit brutal, studentja nga Universiteti i Teksasit, e cila u kafshua mbi 800 herë nga një qen Pit Bull dhe një përzierje të qenit German Shepherd, ndan rrugëtimin e saj të dhimbshëm drejt rikuperimit – një histori që ka prekur mijëra njerëz në rrjete sociale.

Në prag të Krishtlindjeve të vitit 2021, Jacqueline u dërgua në koma të induktuar dhe iu nënshtrua një operacioni emergjent shtatëorësh pasi dy qentë, të cilët fillimisht i ishin paraqitur si “të dashur”, e sulmuan brutalisht sapo ajo hapi derën e shtëpisë. E shtrirë në tokë, e zhveshur nga kafshimet dhe e tërhequr zvarrë nëpër korridor, ajo humbi 30 për qind të gjakut të trupit të saj, ndërsa fytyra iu shqye deri në kockë.

Katër vite më vonë, 25-vjeçarja ka kaluar 28 ndërhyrje kirurgjikale rindërtuese, përfshirë rikonstruksionin e hundës dhe buzës me lëkurë të marrë nga pjesë të ndryshme të trupit. Ajo vazhdon të dokumentojë rrugëtimin e saj në TikTok dhe Instagram, ku ndjekësit shprehin habinë për progresin e saj të jashtëzakonshëm.

Pavarësisht traumës, Jacqueline nuk ka humbur dashurinë për qentë dhe ndan momente të ngrohta me qenushen e saj Luna, që, sipas saj, “i ndien nevojat përpara se t’i kuptojë vetë”.

Sot, Jacqueline është kthyer në një zë të fuqishëm për ndërgjegjësimin mbi rrezikun potencial të qenve dhe rëndësinë e përgjegjësisë së pronarëve. Përmes një padie të ngritur kundër pronarëve të qenve – një çift me tre fëmijë – ajo kërkon drejtësi për neglizhencën e tyre, duke theksuar faktin se dera e shtëpisë mbante një paralajmërim: “Qen të çmendur. Ju lutem mos trokitni ose bie zilen”.

“Jeta ime ndahet tashmë në ‘para’ dhe ‘pas’ ditës kur hapa atë derë”, tha Jacqueline. Dhe sot, me guximin për të treguar fytyrën e saj të re, ajo përcjell një mesazh të fuqishëm: “Nuk kam më frikë të tregoj kush jam”.