Një ngjarje e pazakontë është regjistruar së fundmi në Kinë. Një grua u shpëtua pas 30 orësh e bllokuar në një dhomë, pasi hodhi nga dritarja një jastëk me një mesazh të shkruar me gjakun e saj. Ngjarja ndodhi në qytetin Leshan, në provincën Sichuan.
Gruaja, e identifikuar vetëm me mbiemrin Zhu, po pastronte një shtëpi mysafirësh kur u mbyll gabimisht në një dhomë në katin e gjashtë të apartamentit, pa telefon dhe pa qasje në ushqim apo tualet. Dera nuk hapej për shkak të një brave e cila për fat të keq ishte e dëmtuar.
Pas më shumë se një dite e gjysmë përpjekjesh të kota për ndihmë, Zhu, në gjendje dëshpëruese, kafshoi gishtin dhe shkroi me gjak në një jastëk numrat “110625”, ku “110” është numri emergjent në Kinë dhe “625” dhoma ku ndodhej. Ajo e hodhi jastëkun nga dritarja.
Për fatin e saj të mirë, mesazhi u vu re nga Zhang Kun, një punonjës shpërndarjeje, i cili lajmëroi menjëherë policinë. Pas ndërhyrjes së forcave të rendit në ambientin ku ajo ndodhej, Zhu u lirua dhe u pa në video duke falënderuar oficerët mes lotësh.
Autoritetet e shpërblyen Zhang me 3,000 juanë (rreth 361 euro) për ndihmën e tij vendimtare në shpëtimin dramatik.