FLASH :

“E mbajti trupin në valixhe, ndaloi për cigare”: Masakra e Ilaria Sulës trondit Italinë – rrëfimi i errët i Mark Samson

Masakrimi me thikë i studentes shqiptare Ilaria Sula në Romë vijon të tronditë Italinë dhe komunitetin shqiptar. 24-vjeçarja u vra brutalisht nga ish-i dashuri i saj, Mark Samson, brenda banesës së familjes së tij në rrugën Homs, në lagjen Afrikane të kryeqytetit italian.

Në një letër rrëqethëse dërguar Prokurorisë së Romës, 23-vjeçari filipinas përshkruan me detaje natën e krimit. Ai pretendon se diskutonin për marrëdhënien e tyre kur tensionet u rritën. “Isha i lodhur duke pritur, ndërsa ajo kërkonte njerëz të tjerë për t’u lidhur,” shkruan ai.

Sipas tij, Ilaria kishte kërkuar të qëndronte natën në shtëpi dhe pasi kishin ndarë çaste intime në shtrat, gjithçka mori një kthesë të errët. Më pas, ai e goditi me thikë duke i marrë jetën në mënyrë barbare.

Mëngjesin e 26 marsit, Samson vendosi trupin e pajetë në një valixhe dhe u nis për ta hedhur nga një shkëmb në Capranica Prenestina. Detajet e rrëfimit janë tronditëse: “Ishte një ditë me diell verbues. Dy vajza po vinin drejt meje. Prita të kalonin dhe më pas ngrita valixhen pa ndihmën e askujt.”

Ai pranon gjithashtu se ndaloi në një dyqan për të blerë cigare dhe çakmak, ndërsa trupi i Ilarias ndodhej në bagazh.

Mark Samson akuzohet për vrasje me dashje dhe fshehje të kufomës, ndërsa nëna e tij po hetohet për bashkëpunim në fshehjen e provave. Prokuroria italiane vijon hetimet për të zbardhur motivin e plotë dhe rrethanat e këtij krimi makabër që ka lënë shumë pyetje pa përgjigje.