FLASH :

E kërcënoi pas ndarjes me vajzën, procedohet penalisht 35-vjeçari nga Shkodra

Një 35-vjeçar nga Shkodra është vënë nën hetim nga policia e Lezhës, pasi dyshohet se ka kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme një grua, pas prishjes së marrëdhënies me vajzën e saj.

Specialistët për Hetimin e Krimeve kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ku ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. H., 35 vjeç, banues në Shkodër.

Kallëzimi është bërë nga M. D., 52 vjeçe, banuese në Lezhë, e cila ka deklaruar se prej disa ditësh është kërcënuar në mënyrë të përsëritur me mesazhe dhe telefonata, nga 35-vjeçari që më parë ka qenë në një lidhje me vajzën e saj. Ndarja, sipas kallëzueses, ka ndodhur rreth dy muaj më parë.

Hetimet janë në vijim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për marrjen e masave të nevojshme ligjore.