FLASH :

E inskenoi rrëmbimin për para, djali mashtron babanë në Kavajë

Një 28-vjeçar nga Kavaja inskenoi rrëmbimin e vet për t’i marrë para të atit, ndërsa në këtë skemë përfshiu edhe një bashkëpunëtor nga Durrësi. Plani i mirëmenduar zgjati vetëm pak orë, pasi policia zbuloi gjithçka dhe i vuri të dy në pranga.

Lubjan Camema, banues në Kavajë, njoftoi të atin se ishte rrëmbyer dhe se për lirimin e tij kërkohej një shumë parash. Në lojë hyri edhe Bernard Kiptiu, 45 vjeç nga Durrësi, i cili mori rolin e ndërmjetësit dhe u paraqit për të marrë shumën e kërkuar.

Por në momentin që po negocionte me të atin e 28-vjeçarit, ai u kap në flagrancë nga Policia, në lagjen nr. 16 të qytetit bregdetar. Vetëm pak metra më tutje, forcat e rendit gjetën edhe “të rrëmbyerin”, i cili po priste të përfitonte nga mashtrimi që vetë kishte organizuar.

Për më tepër, dyshohet se Camema kishte marrë edhe automjetin e të atit, të cilin e kishte shitur pak ditë më parë, në kuadër të të njëjtës skemë mashtrimi.

Dy të arrestuarit do të përballen me drejtësinë, nën akuzën për mashtrim të kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kavajë.