FLASH:

E dyshimtë vetëvrasja e 27-vjeçares shqiptare në Itali – prokuroria heton për nxitje drejt aktit tragjik

Ermela Muhametaj, një 27-vjeçare shqiptare dhe nënë e një djali 8-vjeçar, u gjet e pajetë mbrëmjen e 28 prillit në qytezën e Larinos, Itali. Fillimisht, autoritetet italiane dyshuan për vetëvrasje, por me thellimin e hetimeve janë zbuluar detaje që hedhin hije dyshimi mbi këtë version zyrtar. Prokuroria lokale ka hapur një hetim për “nxitje për vetëvrasje”, ndërsa rezultatet e autopsisë pritet të publikohen më 2 maj.

Sipas mediave italiane, në mëngjesin e asaj dite, Ermela kishte kontaktuar me avokatin e saj penal për të caktuar një takim lidhur me procedurat e divorcit nga bashkëshorti, me të cilin prej muajsh nuk bashkëjetonin. Në mesazhin që i kishte dërguar rreth orës 8 të mëngjesit, ajo i shkruante: “A mund të takohemi në studio sot?” – një shenjë e qartë se ishte e përfshirë në një proces të vështirë personal, por edhe se kishte plane dhe angazhime për ditën.

Banorët e zonës dhe të njohurit e saj shprehen të habitur nga ngjarja, duke theksuar se nuk e besojnë që një nënë e përkushtuar ndaj fëmijës të ketë zgjedhur vetë të largohet nga jeta. Këto dyshime po thellohen më tej ndërsa hetuesit janë në pritje të zbërthimit të telefonit të viktimës, që mund të përmbajë komunikime kyçe që do të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Tragjedia e Ermelës ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali dhe ka rikthyer vëmendjen mbi fenomenin e nxitjes për vetëvrasje, veçanërisht në rrethana divorci dhe konflikti familjar.