Yevgeny Prigozhin, kreu i famëkeq i grupit mercenar Wagner, e dinte se ishte i destinuar të vdiste pas rebelimit të dështuar kundër Vladimir Putin, ka rrëfyer nëna e tij 85-vjeçare, Violetta Prigozhina.
Prigozhin, i njohur si “kuzhinieri i Putinit” për shkak të kontratave milionëshe që mori me Kremlinin, u vra në verën e vitit 2023 kur avioni i tij u rrëzua në rajonin Tver, vetëm dy muaj pasi kishte udhëhequr një marshim të paprecedent drejt Moskës. Ai dhe nëntë persona të tjerë humbën jetën në atë që perëndimi e cilëson si shpërthim të qëllimshëm në bord, si hakmarrje nga Kremlini.
“Dukej i dënuar”
Në një intervistë për “Fontanka”, nëna e tij u shpreh se ditët para aksidentit, i biri dukej i mposhtur dhe i vetëdijshëm për fundin.
“Kur e pashë për herë të fundit, dukej i dënuar,” tha ajo. “E priste vdekjen, kjo ishte e qartë.”
Ajo rrëfen se e kishte këshilluar të mos marshonte drejt Moskës, duke i thënë: “Vetëm njerëzit në internet do të të mbështesin. Askush nuk do të dalë me ty në shesh.”
Rebelimi që tronditi Putinin
Në qershor 2023, mercenarët e Wagner-it morën nën kontroll bazat kryesore ushtarake në Rostov mbi Don dhe marshuan drejt kryeqytetit rus, duke shkatërruar helikopterë dhe avionë ushtarakë. Vetëm 120 km larg Moskës, Prigozhin e ndali marshimin pas ndërhyrjes së presidentit bjellorus Aleksander Lukashenko.
Putin e akuzoi atë për “tradhti” dhe “thikë pas shpine ndaj vendit”, duke paralajmëruar ndëshkim të shpejtë. Dy muaj më vonë, avioni i Prigozhin shpërtheu në ajër.
Nga burgu tek milionat
Prigozhin, një ish-i dënuar për grabitje, arriti të bëhej një nga figurat më të fuqishme të Rusisë. Ai ndërtoi një perandori që përfshinte restorante luksoze, kompani ndërtimi, biznese minerare në Afrikë, madje edhe një fabrikë të famshme propagande online. Wagner, ndërkohë, u bë krah i fshehtë i Kremlinit në Ukrainë, Siri dhe Afrikë, duke u akuzuar për krime lufte dhe masakra.
Pas vdekjes së tij, perandoria e biznesit iu sekuestrua nga shteti rus, ndërsa trupat e Wagner-it u integruan në ushtrinë ruse nën emrin “Africa Corps”.
Mirënjohja për Putinin
Megjithatë, nëna e tij tregon edhe një anë tjetër: sipas saj, vetë Putin i kishte shpëtuar jetën vite më parë duke e dërguar me helikopter në Gjermani për një operacion të ndërlikuar. “Një nënë është e shenjtë”, ishte përgjigjja që Kremlini i dha djalit të saj atëherë.
Sot, një vit e gjysmë pas vdekjes së tij, figura e Prigozhin mbetet simbol i kontradiktave të regjimit rus: një njeri që nga besnik i Putinit u kthye në armikun më të rrezikshëm të tij – dhe që e dinte se fundi i tij ishte i pashmangshëm.




