Këngëtari i njohur grek Giorgos Mazonakis ka vendosur të ndërmarrë veprime ligjore ndaj personave që, sipas tij, kanë kontribuar në shtrimin e tij të pavullnetshëm në spitalin psikiatrik “Dromokaïtio”, duke i akuzuar për dëshmi të rreme dhe shpifje publike.
Sipas avokatit të tij, Giorgos Merkoulidis, Mazonakis do të depozitojë nesër, të premten më 12 shtator, kallëzime penale kundër disa anëtarëve të familjes së tij dhe një mikeshës së tyre, të cilët thuhet se kanë dhënë deklarata të rreme që çuan në vendimin e ndalimit dhe shtrimit të tij.
“Personat ndaj të cilëve do të drejtohemi janë ata që kanë nënshkruar dhe dhënë dëshmi të rreme – anëtarët e familjes së tij, përfshirë motrën e tij, Maria, e cila firmosi kërkesën për shtrim, dhe një mikeshë e tyre. Ndërsa njëra prej motrave luajti rolin e nxitëses morale”, u shpreh Merkoulidis për emisionin “Live News”.
“E paraqitën si të rrezikshëm – Shtrimi u bazua në dëshmi të pavërteta”
Avokati theksoi se vendimi për padinë nuk është marrë lehtë, por ishte i pashmangshëm:
“Nuk ishte një vendim i lehtë. Giorgos e bën këtë me dhimbje të madhe, por ajo që ka ndodhur është jashtë çdo kufiri. Shtrimi u bazua në dëshmi që e paraqisnin si të rrezikshëm për veten dhe për të tjerët – diçka që nuk është e vërtetë. Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit, lirisë personale dhe reputacionit të tij.”
“I gjithë procesi ishte i paligjshëm, abuziv dhe thellësisht fyese për personalitetin e tij. Kjo situatë nuk mund të kalojë pa përgjegjësi ligjore”, përfundoi ai.