FLASH :

“E braktisur” në moshë të thyer: Tinka Kurti rrëfen me dhimbje – “Tragjedi që erdha këtu…”

Aktorja legjendare e skenës dhe ekranit shqiptar, Tinka Kurti, ka zbuluar publikisht se jeton në një shtëpi të moshuarish në Tiranë. Rrëfimi i saj i sinqertë dhe prekës u transmetua gjatë puntatës së fundit të “Big Brother”, ku ajo u shfaq përmes një video-mesazhi për aktorin Laert Vasili, pjesëmarrës në reality-show.

“Kam pasur shumë probleme. Kam pasur fatin tjetër që erdha në këtë shtëpi që e shihni ju, që është një mrekulli, por për mua ishte një tragjedi. Doja që të ikja sa më parë, por tani nuk them se dua të ik, sepse ka njerëz të mrekullueshëm,” – tha ajo me emocion.

Tinka Kurti, një nga figurat më të dashura të artit shqiptar, e njohur për mbi 50 filma artistikë dhe mbi 150 shfaqje teatrore, u ndal gjithashtu tek humbja e koleges së saj dhe mikeshës së ngushtë, Margarita Xhepa:
“Na iku Margarita. Na la një dhimbje të madhe. Për mua ka qenë tronditje e madhe, sepse unë kam fituar nga ajo.”

Rikujtojmë se hera e fundit që Tinka u shfaq në publik ishte më 3 prill, në homazhet për nder të aktores së madhe Xhepa, e ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare.

Prej vitesh larg vëmendjes mediatike, Tinka Kurti përballet sot me një realitet të trishtë – një monument kulture që jeton në një azil, pa sqarime të qarta se si një artiste me kontribut të jashtëzakonshëm dhe e dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës” ka përfunduar në një strehë për të moshuar.

Në vitin 2018, ajo përjetoi një humbje të madhe personale, pas vdekjes së të birit, Zef Kurti, nga një sulm në zemër.

Mes zërit të saj të butë, dhimbjes dhe dinjitetit të pashoq, Tinka Kurti përcolli një mesazh të fortë:
“Ne jemi artistë që i kemi shërbyer popullit. Do i shërbejmë këtij kombi deri sa të kem frymën e fundit.”