FLASH :

E bleu për ta rritur në kopshtin e shtëpisë – luani e shqyen dhe e hëngri të zotin e vet në Irak

Një ngjarje makabre ka tronditur qytetin e Kufës në Irak, ku një burrë u shqye për vdekje dhe më pas u ngrënë nga luani i tij, vetëm disa ditë pasi e kishte blerë për ta mbajtur në kopshtin e shtëpisë.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Najafit, Mufid Tahir, ngjarja ndodhi të enjten, kur luani sulmoi në mënyrë të papritur të zotin e tij, 50-vjeçarin Aqil Fakhr al-Din. “Një qytetar u sulmua nga një luan në kopshtin e shtëpisë së tij dhe vdiq menjëherë,” tha Tahir për mediat lokale.

Trupi i viktimës ishte konsumuar pjesërisht nga kafsha, e cila refuzonte të largohej prej tij, duke detyruar autoritetet që ta ekzekutonin luanin në vendngjarje.

Raportohet se një nga fqinjët e al-Din ndërhyri dhe qëlloi luanin me një automatik tip “Kallashnikov”, duke e vrarë me shtatë plumba. Por në atë moment ishte tepër vonë për të shpëtuar 50-vjeçarin, i cili u dërgua në spitalin “Al-Sadr Medical City” në Najaf, ku mjekët konfirmuan vdekjen për shkak të plagëve të rënda.

Sipas policisë, viktima kishte vite që mbante kafshë të egra, përfshirë edhe luanë, në kopshtin e shtëpisë së tij. Ai thuhet se e kishte blerë luanin e fundit me synimin për ta rritur dhe zbutur vetë në kushte shtëpiake.

Pamje të rënda që tregojnë viktimën të mbuluar me gjak në shtratin e spitalit dhe trupin e luanit të vrarë janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si ai kishte arritur të mbante një kafshë të tillë të rrezikshme në pronën e tij private.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur një hetim për rrethanat e plota të ngjarjes.

Iraku vazhdon të përballet me trafikimin e paligjshëm të kafshëve të egra, një problem i thelluar nga konfliktet e shumta, mungesa e kontrollit ligjor dhe kërkesa e lartë për specie të rralla. Pavarësisht se vendi nënshkroi Konventën për Mbrojtjen e Kafshëve në vitin 2014, tregtia ilegale e faunës së egër mbetet ende një fenomen i përhapur në Irak.

Ngjarja tragjike vjen vetëm disa muaj pas një tjetër rasti të ngjashëm, ku një kujdestar në një kopsht zoologjik u shqye për vdekje nga luanët pasi hyri në kafazin e tyre për të “impresionuar të dashurën”.