FLASH :

Dyshohet se ka rënë në det nga trageti, bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare e italiane për të gjetur shtetasin francez

Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit, në bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Armatosura, Policinë Kufitare dhe autoritetet italiane, vijon operacionin e gjerë për kërkimin e personit të zhdukur nga trageti ndërkombëtar “AKKA”.

Mediat italiane shkruajnë se ka qenë një pasagjer francez qe dyshohet se është vetëhedhur, ose ka rënë nga trageti pasi nuk është ndjerë mirë.

Operacioni nisi fillimisht nga autoritetet italiane në detin përreth, ndërsa forcat shqiptare u angazhuan për t’i dhënë ndihmë dhe për të zgjeruar zonën e kërkimit nga Kepi i Stillos në jug deri në grykëderdhjen e Semanit në veri.

Për kërkimin janë përdorur mjetet ajrore dhe detare, duke përfshirë një Dron dhe Helikopter të Forcave Ajrore, një anije patrulluese të Forcës Detare, si dhe motorë uji dhe mjete patrullimi të Policisë Kufitare me një numër të konsiderueshëm efektivësh.

Operacioni po zhvillohet në koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke ndjekur protokollet më të rrepta të kërkim-shpëtimit në det, por deri tani pa rezultat. Kërkimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, në varësi të kushteve detare dhe zhvillimeve në terren.