Dy persona kanë humbur jetën nga zjarret e fuqishme që kanë përfshirë Turqinë, ndërsa flakë të tjera të mëdha kanë shpërthyer në Kretë, Greqi, në një nga episodet më të rënda të valës së të nxehtit që ka goditur Europën këtë verë.
Një i moshuar ka humbur jetën në një zjarr pranë qytetit Odemis, rreth 100 kilometra në lindje të Izmirit, ku tre fshatra janë evakuuar, tha deputeti turk Salih Uzun për televizionin Halk TV. “Fshati u evakuua, por një pacient i moshuar dhe i palëvizshëm nuk mundi të shpëtohej,” deklaroi ai.
Një tjetër viktimë ishte një punonjës pyjor, i cili humbi jetën teksa luftonte me flakët në të njëjtën zonë, konfirmoi ministri i bujqësisë i Turqisë, Ibrahim Yumakli, përmes një postimi në platformën X.
Turqia, e cila ishte kursyer nga valët ekstreme të të nxehtit që kanë goditur jugun e Europës, po përballet me pasojat e një thatësire të zgjatur të shkaktuar nga ndryshimet klimatike. Të hënën, mbi 50,000 persona u evakuuan – kryesisht në rajonin e Izmirit, por edhe në jug, në provincën Hatay, sipas agjencisë së emergjencave AFAD.

Një tjetër zjarr i madh shpërtheu pranë Cesme, në perëndim të Izmirit, që nga mbrëmja e së mërkurës, duke detyruar evakuimin e tre fshatrave të tjerë. “Problemi më i madh është shpejtësia e erës, që arrin deri në 85 km/h dhe bën që zjarri të përhapet me shpejtësi të frikshme, duke ndryshuar drejtim vazhdimisht,” tha guvernatori i Izmirit, Suleyman Elban.
Autostrada që lidh Izmirin me Cesmen u mbyll përkohësisht të enjten pasdite, por u rihap më vonë në mbrëmje, njoftoi Elban.

Në të dy zonat, sipas autoriteteve, janë angazhuar intensivisht nëntë avionë, 22 helikopterë dhe mbi 1,100 mjete zjarrfikëse dhe ndihmëse për të përballuar flakët. Guvernatori tha se të gjitha zjarret në provincë, përfshirë ato që shpërthyen fundjavën e kaluar dhe tashmë janë vënë nën kontroll, janë shkaktuar nga telat elektrikë.
Zjarre të tjera shpërthyen më herët në zonën turistike të Antalias dhe në pyjet e Sultan Gazi në Stamboll. Të dyja u vunë shpejt nën kontroll, thanë zyrtarët.
Pamje nga Antalia tregojnë flakët që përfshijnë një zonë pyjore pranë lagjes Lara, një zonë e mbushur me resorte luksoze, por sipas autoriteteve lokale, situata u kontrollua.
Që nga e premtja, qindra vatra zjarri janë raportuar në të gjithë Turqinë e prekur nga thatësira, të nxitura nga erëra të forta.
Ndërkohë, një tjetër tragjedi u raportua në Hatay: Aysel Erbas, 57 vjeç, një e mbijetuar e tërmetit shkatërrues të muajit shkurt, humbi gjithçka përsëri kur zjarret shkatërruan shtëpinë e saj të re. Zjarri shpërtheu më 30 qershor në lagjen Karaali dhe u përhap me shpejtësi në gjashtë lagje përreth për shkak të erërave të forta.


“Po pastronte kuzhinën, mbyllja dritaret që të mos hynte pluhuri, kur pashë tym kudo dhe duhej të dilja me vrap,” rrëfen ajo për Daily Sabah. “Humba telefonin dhe gjithçka që kisha brenda shtëpisë. Vetëm pak ujë pata për të shuar flakët që po shpërthenin.”
Sipas sistemit evropian për monitorimin e zjarreve në pyje (EFFIS), deri më tani këtë vit janë regjistruar 90 zjarre në Turqi, që kanë djegur afro 35,000 hektarë tokë. Vetëm të hënën, ishin mbi 15,000 hektarë të djegur nga 65 vatra aktive.
Sipas meteorologut Ismail Kucuk, duke iu referuar të dhënave të ministrisë së pyjeve, 90% e zjarreve janë shkaktuar nga veprime njerëzore, përfshirë mirëmbajtjen e dobët të kabllove elektrike, të cilat janë bërë më problematike që prej privatizimit të shpërndarjes së energjisë.
Ndërsa ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po çojnë drejt zjarreve më të shpeshta dhe më intensive, ata i bëjnë thirrje Turqisë të marrë masa serioze për parandalimin e fatkeqësive natyrore.
Ndërkohë, në ishullin e Kretës në Greqi, një zjarr i fuqishëm ka shkaktuar evakuimin masiv të turistëve, banorëve dhe hoteleve në jug të ishullit. Flakët nisën të martën në mbrëmje në malet mes fshatrave Ferma, Achila dhe Agia Fota dhe përparuan me shpejtësi drejt zonave bregdetare për shkak të erërave të fuqishme.
Autoritetet urdhëruan evakuimin në tri pika jashtë portit të Ierapetrës. Rreth 230 zjarrfikës u angazhuan gjatë natës për të përmbajtur flakët, ndërsa 10 avionë u dërguan të enjten në mëngjes për të ndihmuar nga ajri, me forca shtesë të ardhura nga Athina.
Sipas një deklarate të një shoqate hotelierësh për Protothema, rreth 5,000 persona, kryesisht turistë të huaj, u evakuuan nga banesat dhe hotelet në një prej destinacioneve më të njohura të pushimeve në Greqi. Autoritetet konfirmuan zyrtarisht rreth 1,500 të evakuuar, ndërsa shumë persona të tjerë u shpëtuan me anije dhe mjete detare nga plazhet ku kishin mbetur të bllokuar.


Raportimet tregojnë se disa shtëpi janë djegur, ndërsa persona të shumtë janë dërguar në spital për shkak të problemeve të frymëmarrjes.
“Është një situatë shumë e vështirë. Zjarri është jashtë kontrollit. Për momentin, nuk po arrijnë ta ndalin,” deklaroi Nektarios Papadakis, zyrtar i mbrojtjes civile në prefekturën lokale.
