FLASH :

Dy shqiptarë të plagosur në një atentat me armë në Itali – dyshohet larje hesapesh

Dy shtetas shqiptarë kanë mbetur të plagosur rëndë në një sulm me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e djeshme përpara një lokali në zonën Umbertide, në Itali. Ngjarja ndodhi në praninë e disa personave të tjerë dhe ka shkaktuar panik në komunitetin lokal.

Sipas hetimeve paraprake të karabinierëve të Città di Castello, autori i dyshuar i atentatit është gjithashtu një shtetas shqiptar, ndërsa pistat kryesore të hetimit lidhen me një larje hesapesh, ndoshta në kuadër të përplasjeve për çështje droge. Autori është aktualisht në arrati dhe është shpallur në kërkim nga autoritetet italiane.

Të plagosurit janë transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë dhe po mbahet në kujdes intensiv, me prognozë të rezervuar.

Ngjarja vjen në një kohë kur përplasjet mes grupeve kriminale shqiptare në Itali kanë qenë në rritje, duke alarmuar autoritetet për përhapjen e dhunës së organizuar në territorin italian.