Zjarri në malin e Dukatit, që ka përfshirë zonën prej pesë ditësh, vijon me intensitet të lartë dhe është afruar ndjeshëm Parkut Kombëtar të Llogarasë, duke rrezikuar një nga zonat më të mbrojtura dhe turistike të vendit. Pavarësisht ndërhyrjes ajrore me dy helikopterë Cougar, të pajisur për shuarjen e zjarreve, situata mbetet kritike, veçanërisht në zonën ku mali i Dukatit lidhet me Llogaranë, ku terreni i vështirë e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka. Forcat zjarrfikëse, të ushtrisë, Emergjencat Civile dhe ADZM janë përqendruar në këtë segment për të frenuar përhapjen e flakëve.
Në operacion janë angazhuar mbi 80 ushtarë nga Poshnja e Beratit, 20 zjarrfikës dhe dhjetëra banorë të zonës që ndihmojnë në përballimin e zjarrit, ndërsa shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Arben Kingji, ndodhet në terren për të mbikëqyrur nga afër situatën. Zjarri ka përpirë dhjetëra hektarë me pisha, bredha dhe bimësi të dendur, ndërsa sipas Emergjencave Civile, situata është ende nën kontroll, por era e fortë që nis pas orës 11:00 mbetet faktor rreziku. Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian, përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile, ka ofruar mbështetje me mjete ajrore dhe logjistike për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e zjarreve në disa zona të vendit.
Në Parkun Kombëtar të Lurës, ku gjithashtu po përballet me flakë masive, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu zhvilloi një mbledhje urgjente me autoritetet lokale në Dibër, duke garantuar se nuk ka rrezik për zonat e banuara, por duke paralajmëruar për ditë të vështira për shkak të temperaturave të larta. Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me BE-në dhe strukturat e mbrojtjes civile, ka bërë thirrje për vigjilencë të shtuar dhe ndërgjegjësim për parandalimin e zjarreve të qëllimshme apo të pakujdesshme.