SLLOVENI, Ljubljanë – Të enjten në orën 20:00 kampionët e Shqipërisë, Egnatia do përballet në stadiumin “Stozice” kundër vendasve të Olimpija Ljubljana; për ndeshjen e parë të turit të tretë kualifikues të Conference League.
Në prag të këtij dueli, mediet sllovene bëjnë me dije se kampionët e këtij vendi kanë shkarkuar trajnerin portugez, Jorge Simao. Vetëm shtatë ndeshje ka zgjatur aventura e tij në stol, ndërsa humbja në raundin e tretë të kampionatit 0-5 kundër Celje ka “derdhur kupën”.
Me lamtumirën e Simaos, skuadra e Olimpijas do të udhëhiqet nga trajneri i të rinjve Ivan Senzen kundër Egnatias, ndërsa Antonio Delamea Mlinar do ta ndihmojë atë në stol.
Simao zëvendësoi Victor Sanchez në stolin e Olimpijas, i cili pasi fitoi kampionatin, nuk mundi të gjente gjuhën e përbashkët me Adam Delius dhe Igor Barišić në lidhje me vazhdimin e bashkëpunimit të tyre. Spanjolli u largua dhe Olimpija i ofroi më pas mundësinë Simaos, i cili nuk e gjeti vendin e tij në këtë rol.
Me klimën jo të mirë te sllovenët, një trajner i ri dhe nisjen jo të mirë të sezonit, Egnatia e Edlir Tetovës do kërkojë të bëjë më të mirën dhe pse jo të kalojë në fazën play-off të këtij eventi.