Plazhi i Borshit, një nga destinacionet më të frekuentuara të jugut, është tronditur nga dy ngjarje të rënda të ndodhura brenda pak orëve, të cilat kanë vënë në lëvizje Policinë e Himarës.
Një 24-vjeçare ka kallëzuar në Komisariatin e Himarës një 33-vjeçar nga Vora, me inicialet E. M., duke pretenduar se ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me të pa dëshirën e saj, ndërsa ndodheshin në plazh. Pas marrjes në pyetje, i riu po hetohet në gjendje të lirë, ndërsa dosja i është referuar Prokurorisë për ndjekje penale.
Në një rast tjetër, një tjetër pushuese, po 24 vjeçe, ka denoncuar një 52-vjeçar nga Tirana, me inicialet Xh. D., duke e akuzuar për ngacmim seksual. Edhe ky rast është marrë në shqyrtim nga organet hetimore dhe ndaj tij është nisur procedimi penal.
Ngjarjet kanë ngritur alarmin për sigurinë e pushuesve, veçanërisht në nisje të sezonit turistik, teksa Policia e Shtetit bën thirrje për denoncimin e çdo rasti dhune apo abuzimi në zonat bregdetare.







