FLASH :

Dy burra homoseksualë rrihen publikisht me 76 goditje kamxhiku në Indonezi

Dy burra homoseksualë u rrahën publikisht me nga 76 goditje kamxhiku në provincën konservatore të Aceh në Indonezi, pasi një gjykatë e sheriatit i shpalli fajtorë për marrëdhënie të ndaluara seksuale.

Dënimi u ekzekutua në një park të kryeqytetit provincial Banda Aceh, ku një turmë e vogël njerëzish u mblodh për të parë skenën. Të dy burrat u goditën me shkop ratani nga një anëtar i policisë së sheriatit, ndërsa njëri prej tyre shpërtheu në lot gjatë ndëshkimit. Fillimisht ata ishin dënuar me 80 goditje, por dënimi iu ul me katër, për muajt e kaluar në paraburgim.

Arrestimi dhe ndëshkimi

Dy burrat u arrestuan në prill, pasi policia e sheriatit i gjeti në një tualet publik. Denoncimi erdhi nga një qytetar që raportoi “sjellje të dyshimtë”. Pas gjykimit, ata u përballën me ndëshkimin e ashpër të përcaktuar nga ligjet islame lokale, të cilat zbatohen vetëm në Aceh, jo në pjesën tjetër të Indonezisë.

Reagimi ndërkombëtar

Amnesty International e cilësoi rrahjen publike si një akt “diskriminimi dhe mizorie të sanksionuar nga shteti”, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të praktikave degraduese dhe shfuqizimin e ligjeve diskriminuese.

“Ky është një kujtesë tronditëse e stigmatizimit dhe abuzimit të institucionalizuar që përjetojnë individët LGBTQ+ në Aceh,” tha Montse Ferrer, drejtor rajonal i organizatës.

Pjesë e një fushate më të gjerë ndëshkimesh

Në të njëjtën ditë, tre gra dhe pesë burra të tjerë u rrahën për akuza si marrëdhënie seksuale jashtëmartese, shoqërim të afërt me gjininë e kundërt dhe lojëra fati online. Në Aceh, dënime të tilla shtrihen edhe për vepra si pirja e alkoolit, tradhtia bashkëshortore apo mungesa në faljen e së premtes.

Kjo nuk është hera e parë që burra gjobiten për homoseksualitet në Aceh: në shkurt, dy të rinj të tjerë (18 dhe 24 vjeç) u rrahën në të njëjtin vend publik.