PD shpreson t’i marrë një mandat Shehajt në Tiranë, ndërsa rinumërimi i shërben edhe kandidatëve që u ndanë me pak vota nga njëri-tjetri. Të mërkurën hapen 44 kuti të qarkut të Dibrës, pas pretendimeve të Xhemal Gjunkshit se iu vodhën votat. Rrëzohen ankimet e PD për pavlefshmëri të rezultatit në Kukës, Korçë, Lezhë e Gjirokastër.
TIRANË- 1282 kutitë e votimi të qarkut Tiranë do të numërohen nga e para, si vota për partitë, ashtu edhe ajo për kandidatët. Rihapja e të gjitha kutive u bë me kërkesë të dy anëtarëve të KAS, të propozuar nga PD, Ledio Braho dhe Elvi Çefa.
“Në lidhje me kërkesën për këqyrjen e kutive të fletëve të votimit për qarkun Tiranë, KAS me shumicë votash e rrëzon, por me kërkesë të dy anëtarëve të KAS do bëhet këqyrja e kutive të fletëv të votimit për qarkun Tiranë. Duke qenë ky proces merr kohë, duke qenë se janë 1282 QV, data për fillimin e këtij procesi do të përcaktohet në një moment tjetër ku partitë politike kanë të drejtën të caktojnë vëzhgues ndërkohe që procesi do këqyret nga administrata e KQZ, kështu që kjo seancë pezullohet për momentin”, tha Braho.
Rinumërimi i qarkut më të madh ishte një kërkesë e PD-së, që gjatë shqyrtimit këtë të enjte, nuk u pranua nga të gjithë anëtarët e KAS. Në këtë rast, 2 anëtarët e saj në KAS shfrytëzuan të drejtën që u jep Kodi zgjedhor, për t’i hapur kutitë edhe pa konsensus. PD kërkoi specifikisht edhe rivlerësimin e 16 788 votave të pavlefshme. Mes tyre, PD shpreson të gjejë 1300 vota në favor të saj, që të marrë mandatin e 14, duke ja hequr partisë Mundësia, që në Tiranë ka 2 mandate.
Përveç betejës mes Berishës dhe Agron Shehajt, që do të përballen edhe një herë për votën e partive, do të rinumërohen edhe votat e kandidatëve për të gjitha partitë. Hapja e kutive u jep një shans verifikimi të gjithë atyre që patën një rezultat të ngushtë, nga të gjitha krahët, në garën e brendshme. Kështu, Ilir Alimehmeti shpreson të përmbysë rezultatin dhe të mundë Jorida Tabakun, e cila aktualisht është fituese, me mbi 2400 vota diferencë.
Ky proces do të ringjallë shpresat edhe për disa socialistë, të cilëve Edi Rama u kërkoi të mos ankoheshin për rezultatin. Rreth 500 vota është Xhemal Qefalia larg Ornaldo Rakipit, që aktualisht fitoi mandatin. Akoma edhe më e ngushtë është diferenca mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit, e cila e humbi mundësinë me 140 vota.
Vendimi për Tiranën nuk u mor me konsensus, por vetëm me kërkesë të dy anëtarëve demokratë, Elvis Çefa dhe Ledio Braho, pasi neni 138, pika 3 e Kodit Zgjedhor parashikon që “secili anëtar ka të drejtë të kërkojë dhe KQZ-ja është e detyruar të kryejë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara në kuadër të kësaj procedure”.
Ndërkohë, të mërkurën në 11:00 do të hapen 44 kuti të qarkut të Dibrës vetëm për këqyrjen e votave preferenciale mes kandidatëve.
Po sot, me vendim të KAS u rrëzua edhe kërkesa e PD për pavlefshmëri të rezultatit në 4 qarqe, Kukës, Korçë, Lezhë e Gjirokastër.