Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Mix”, i cili kishte si qëllim goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, që çuan në identifikimin e një shtetasi të dyshuar për veprimtari të paligjshme.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. S., 21 vjeç, banues në fshatin Kullë, Manzë, Durrës. Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi Rr. K., 40 vjeç, po nga fshati Kullë, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin udhëtonte S. S., rezultoi se ky shtetas po drejtonte pa leje drejtimi, ndërsa në çantën e shtetasit Rr. K., policia gjeti dhe sekuestroi një mjet prerës (thikë).
Kontrolli u zgjerua më pas edhe në banesën e S. S., ku u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 25 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 50 doza me kanabis, një armë zjarri pistoletë me numër serie të fshirë pjesërisht, 100 fishekë luftarak të kalibrave të ndryshëm, një pasaportë biometrike në emër të një shtetasi tjetër dhe tre telefona celularë.
Arma e zjarrit e sekuestruar do të dërgohet për ekzaminim në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje të mëparshme kriminale. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Mbajtja pa të drejtë e armëve të ftohta” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.







