Në prag të sfidës Angli-Shqipëri, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai është shprehur shumë i motivuar për lojtarët, duke thënë se kanë cilësi dhe për të realizuar ëndrrën drejtë botërorit, duhet të japin maksimumin në fushë.
“Nisim sot një tjetër sfidë, me besimin se mund të realizojmë një ëndërr!
Përballë kemi kundërshtarë të vështirë, duke nisur nga Anglia me të cilën ndeshemi sot në “Wembley”. Gjithsesi kjo nuk duhet të na zmbrapsë, por të na motivojë, të na bëjë bashkë, të përpiqemi dhe të vazhdojmë të jemi frymëzues për shqiptarët kudo që jetojnë. Kombëtarja jonë ka gjithashtu lojtarë të mirë, Kombëtarja jonë ka cilësi, Kombëtarja jonë ka zemër, shpirt dhe do të japë maksimumin në fushën e lojës.
Në fund mund të bëjmë atë që nuk e kemi bërë asnjëherë, të shkojmë në një Kampionat Botëror. Me besim, këmbëngulje, duke qenë një trup i vetëm, lojtarë, staf e tifozë, gjithçka është e mundur!”
