FLASH :

Duke denigruar zjarrvënësit, zv.kryeministrja Balluku cënon parimin e pafajësisë

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka shpërndarë publikisht emrat dhe fytyrat e disa qytetarëve të dyshuar për zjarrvënie, pa asnjë vendim gjykate që i shpall ata fajtorë. Ky veprim përbën një cenim të hapur të parimit të pafajësisë, që garanton se çdo individ është i pafajshëm derisa fajësia t’i provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Situata me zjarret në vend është e rëndë dhe kërkon reagim të ashpër ligjor ndaj autorëve, por asgjë nuk e justifikon linçimin paraprak të të dyshuarve nga një përfaqësuese e lartë e shtetit. Publikimi i të dhënave personale përpara përfundimit të një procesi gjyqësor jo vetëm shkel të drejtat themelore të qytetarëve, por krijon një precedent të rrezikshëm ku drejtësia shndërrohet në gjykim politik dhe spektakël publik. Në rastin më të mirë kjo sjellje është shprehje e një naiviteti të rrezikshëm institucional; në rastin më të keq, një veprim dashakeq që minon besimin tek shteti i së drejtës.