FLASH :

“Duhej ndëshkuar për vdekjen e bijës time në Sarandë”, Britaniku për Shqiptarin i cili u dënua për 150 kg kokainë

Një baba britanik, i cili po kërkon drejtësi për vajzën e tij, e cila vdiq gjatë një ekspeditë zhytje në Sarandë, thotë se ka mbetur i zhgënjyer kur mësoi se shqiptari që kërkohej për vdekjen e saj, është dënuar në Norvegji.

George Gannon tha se Saimir Kushova, 48 vjeç, është dënuar në Norvegji me 15 vite burg. Kujtojmë se Kushova është dënuar pas kapjes së një sasie droge prej 150 kg kokainë. Kushova shërbeu si instruktor zhytje për të nxjerrë drogën nga deti. Por George Gannon thotë se ai duhej dënuar për vdekjen e të bijës 29-vjeçare, Rebecca Gannon.

Duke folur ekskluzivisht për Daily Mail, Gannon tha:

“Kam kaluar pothuajse tre vjet në Shqipëri duke ndjekur autoritetet për drejtësi”.

“Ka qenë e vështirë dhe kam qenë i vetmuar. Kam kaluar kohë larg familjes, por gjithçka që doja ishte që ky njeri të përballej me mua në gjykatë dhe tani ai është burgosur në Norvegji”.

“Ky person është përgjegjës për vdekjen e vajzës sime dhe duhet të dalë në gjyq, thjesht doja që autoritetet shqiptare ta merrnin seriozisht atë që më ndodhi mua dhe vajzës time”.

“Ne e morëm vesh vetëm disa javë më parë, e dinim se ai ishte arratisur pak kohë pasi Rebecca vdiq, por duket se ai përfundoi në Norvegji dhe u përfshi në disa operacione të kontrabandës së drogës”.

“Që atëherë kemi zbuluar se ai u arrestua në Norvegji rreth gjashtë muaj pasi ishte larguar nga Shqipëria, por nuk e kishim idenë se ai ishte akuzuar, dënuar dhe burgosur për kontrabandë droge”.

“Ndihet sikur ai po i shpëton drejtësisë për rolin e tij në vdekjen e Rebecca-s, por unë kurrë nuk do të heq dorë nga lufta për të”.

Rebecca ishte me pushime me të dashurin e saj, Robert Kerans, kur ndodhi tragjedia, teksa ata u zhyten në qytetin bregdetar të Sarandës në jug të Shqipërisë. Çifti kishte certifikata zhytjeje PADI dhe kishte zgjedhur të shkonte në udhëtimin e organizuar nga firma e Kushovës.

Por brenda pak minutash nga hipja në bord, si Rebecca, ashtu edhe Roberti, po vinin në dyshim gjendjen e keqe të pajisjeve me xhaketa shpëtimi nën standarde dhe rezervuarë gjysmë bosh oksigjeni. Rebecca, e cila ishte mësuar të zhytej deri në 30 metra, u vu në vështirësi pavarësisht se uji ishte vetëm shtatë metra i thellë dhe ajo u mbyt.

Sipas zotit Gannon para se të vdiste, ajo ishte rishfaqur ‘në një panik dhe duke u lutur për ndihmë’, por më pas rrëshqiti nën valë. Gannon shpjegoi se u deshën më shumë se dy vjet për ta akuzuar Kushovën për ‘shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë’. Gannon, i goditur nga pikëllimi, tha se autoritetet në Shqipëri, kishin ‘zvarritur’ çështjen në hetim dhe kishin marrë shumë kohë për ta akuzuar atë.

Por më e keqja ishte për të atin zemërthyer, pasi Kushova u arrestua dhe u mbajt në Shqipëri vetëm pak për t’u arratisur dy herë nga paraburgimi, duke përfunduar më pas në Norvegji.

“Pasi ai kaloi jashtë vendit, policia tha se kishte vënë një alarm për të përmes Interpolit, por ne nuk dëgjuam asgjë për shumë vite”.

“Vitet e fundit më kanë kushtuar financiarisht më shumë se 53.000 sterlina dhe më ka kushtuar kohë me familjen time, ne kemi shpenzuar kursimet tona dhe na është dashur të mbyllim biznesin tonë të furrës”.

“Nuk kemi pasur mbështetje reale nga autoritetet shqiptare apo ambasada britanike në Tiranë”.

“E di që është në burg në Norvegji dhe ndoshta nuk do të largohet së shpejti, por nuk do të pushoj derisa ai të dalë në gjykatë dhe të dënohet për rolin e tij në vdekjen e vajzës sime”.

“Unë mund të jem gati 80 vjeç në kohën kur ai të lirohet, por thjesht dua ta shoh atë në gjykatë dhe të burgoset për rolin që ka pasur në vdekjen e Rebecca-s”.

“Unë dua që ai të përballet me drejtësinë për atë që ka bërë, më ka kushtuar gjithçka, madje kam menduar të shkoj në Norvegji dhe të kryej një krim që ta shoh në burg”.