FLASH :

Duan ta largojnë, Chelsea vendos çmimin ‘e kripur’ për Armando Brojën

E ardhmja e Armando Brojës duket se do të jetë larg “Stamford Bridge”. Sulmuesi kushton 25 milionë euro në treg.

Sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja nuk bën pjesë në planet e trajnerit Maresca për sezonin e ri te Chelsea dhe klubi londinez ka vendosur ta shesë përfundimisht gjatë kësaj merkatoje vere.

Pas disa huazimeve që nuk dhanë rezultatet e pritshme, Chelsea është i vendosur të përfitojë financiarisht nga shitja e Brojës, i cili ka ende tre vite kontratë me klubin. Sipas raportimeve nga Anglia, blutë e Londrës kanë vendosur një çmim prej 25 milionë eurosh për kartonin e tij.

Kjo shifër tregon se pavarësisht mungesës së hapësirës në ekipin aktual, Chelsea vijon ta vlerësojë sulmuesin 22-vjeçar, që shihet si një talent me potencial për t’u shprehur në një ambient të ri dhe me më shumë minuta në dispozicion

Interesimi për Brojën është i lartë. PSV Eindhoven në Holandë ka shfaqur interes konkret, ndërkohë që edhe nga Bundesliga vijnë sinjale pozitive, me Leipzig dhe Stuttgart që monitorojnë situatën nga afër dhe mund të bëjnë lëvizje zyrtare në ditët në vijim.