Dua Lipa dhuroi një tjetër natë magjike në stadiumin e Wembley-t të shtunën mbrëma, teksa surprizoi fansat duke sjellë në skenë mikeshën e saj, këngëtaren britanike Charli XCX. Spektakli, i dyti me radhë në një stadium të mbushur me plot 70,000 njerëz, ishte pjesë e turit “Radical Optimism” dhe solli një moment të papritur kur të dyja artistet interpretuan hitin “360”, mes britmave të entuziazmuara të publikut.
“Për këngën tjetër, mendova të sjell një mike. Ajo është ‘brat-i’ më i madh. Jepini duartrokitje Charli XCX!” – tha Dua me humor para se të shpërthente bashkëpunimi skenik që elektrizoi gjithë Wembley-n. Surpriza erdhi pas një nate të parë po aq të bujshme, ku Lipa u shfaq në skenë me ikonën e muzikës britanike të viteve ‘90, Jamiroquai.
Me një sërë veshjesh ekstravagante – nga bodysuit me xixa e deri te fustane transparente me prerje të guximshme – këngëtarja britaniko-shqiptare shkëlqeu si rrallëherë, duke interpretuar hitet e saj më të njohura si “Levitating”, “One Kiss”, “Training Season”, “New Rules” dhe “Be The One”.
Në një moment prekës gjatë natës së parë, Dua shpërtheu në lot në skenë, e kapluar nga emocionet e performancës së saj të parë ndonjëherë në Wembley.
“Është një ëndërr e jetës sime. Para 10 vitesh këndoja në Londër për 350 vetë. Sot jam para 70,000 njerëzve. Është e pabesueshme,” – tha ajo, duke falënderuar fansat që i kanë qëndruar pranë gjatë gjithë rrugëtimit të saj muzikor.
Krah saj në publik ishin i fejuari Callum Turner, nëna Anesa dhe motra Rina, ndërsa të ftuarit specialë të natës përfshinë edhe artistet Dove Cameron dhe Alessi Rose.
Për mediat britanike, suksesi i dy netëve në Wembley është dëshmi e ndikimit të jashtëzakonshëm të Dua Lipës në industrinë globale të muzikës – një yll i lindur nga Londra, me rrënjë shqiptare dhe ëndrra ndërkombëtare që tashmë po bëhen realitet.

