FLASH :

Dua Lipa dhe Tom Cruise ndezin Wembley-n mes hit-eve të Oasis

Yjet ndërkombëtarë kanë pushtuar Wembley Stadium këtë fundjavë, teksa 90 mijë fansa u mblodhën për të ndjekur ribashkimin historik të grupit legjendar Oasis. Në mesin e turmës, mes entuziazmit dhe këngëve klasike si Don’t Look Back In Anger e Wonderwall, u spikati prania e këngëtares shqiptaro-britanike Dua Lipa me të fejuarin e saj Callum Turner, si dhe aktorit hollivudian Tom Cruise, i cili shoqërohej nga aktorja Ana De Armas.

Dua dhe Callum, të cilët konfirmuan fejesën muajin e kaluar, u filmuan nga vajza e Noel Gallagher, Anais, teksa këndonin të përqafuar hitin ikonë të grupit, duke dhënë një tjetër dëshmi të romancës së tyre publike. Ndërkohë, Tom Cruise, që kishte siguruar rreth 20 bileta për veten dhe miqtë e tij, zgjodhi të qëndronte në mes të turmës për të ndjekur koncertin, dhe jo në zonat VIP. Sipas Mirror, ylli i “Mission Impossible” kishte përdorur ndikimin e tij për të siguruar biletat, në një kohë kur shumica e fansave ishin të kufizuar në vetëm katër për person.

Tom dhe Ana De Armas, të lidhur për herë të parë në Shën Valentinin e këtij viti, janë parë shpesh bashkë në publik, përfshirë edhe një udhëtim romantik në Menorca. Edhe prezantuesi britanik Rylan Clark, bashkë me Fearne Cotton dhe Davina McCall, ndanë momente nga koncerti në rrjetet sociale, ndërsa futbollisti Andy Carroll dhe partnerja e tij Lou Teasdale shuan thashethemet për ndarje duke shijuar koncertin në mënyrë romantike.

Koncerti në Wembley shënoi rikthimin e Oasis në Londër pas më shumë se 16 vitesh mungesë. Pas sukseseve të mëdha në Manchester, grupi i vëllezërve Gallagher do të mbajë pesë net të njëpasnjëshme në stadiumin legjendar, përpara se të zhvendoset në Edinburg, Dublin dhe më tej në Japoni, Korenë e Jugut, Amerikën Latine, Australi dhe Amerikën e Veriut.

Pavarësisht entuziazmit, koncerti ka shkaktuar edhe reagime për rritjen e çmimeve të biletave deri në 355 paund për vendet standarde, duke nxitur një hetim të mundshëm nga autoritetet britanike për politikën e “çmimeve dinamike”. Megjithatë, rikthimi i Oasis po cilësohet si një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të vitit, me grupin që tashmë ka tri albume në top 5 të klasifikimeve britanike dhe recensione me pesë yje nga The Guardian, The Telegraph dhe The Times.