FLASH :

Dronë, hakerë dhe agjentë të infiltruar: Teherani nën ethet e një lufte të fshehtë me Mossadin

Në një përshkallëzim të dukshëm të luftës së padukshme midis Izraelit dhe Iranit, regjimi i Teheranit po përballet me një valë goditjesh të sofistikuara që shtrihen nga operacionet tokësore e ajrore, deri në sulme kibernetike dhe atentate të përpikta. Pas sulmeve të fundit të atribuuara Mossad-it dhe vrasjes së udhëheqësve ushtarakë iranianë, frika e infiltrimit ka kthyer Iranin në një fushë paranoje të përhershme: çdo furgon, çdo paketë e dërguar natën, çdo njeri me syze nate shihet si kërcënim.

Agjentë të dyshuar vendas të rekrutuar nga Mossad-i, bashkë me mjete të maskuara si furgonë shpërthyes apo dronë të komanduar në distancë, thuhet se kanë marrë pjesë në operacionet më të fundit që shënjestruan shkencëtarë dhe zyrtarë ushtarakë iranianë. Qeveria iraniane ka paralajmëruar qytetarët të raportojnë çdo sjellje të pazakontë, ndërsa propaganda shtetërore po ushqen atmosferën e frikës dhe kontrollit total.

Sakaq, në një ofensivë të dyanshme, shërbimi izraelit Shin Bet ka ndaluar dy shtetas të dyshuar për bashkëpunim me Gardën Revolucionare Iraniane, në atë që po përshkruhet si një luftë me “gurë shahu” të rekrutuar nga të dyja palët për qëllime atentatesh dhe sabotimi. Ndërkohë, në Iran janë ekzekutuar apo arrestuar dhjetëra të dyshuar për bashkëpunim me Mossad-in, përfshirë edhe artistë disidentë si reperi Tommaj Salehi.

Lufta është shtrirë edhe në sferën digjitale, ku grupi hakerash Predatory Sparrow ka marrë përgjegjësinë për sulme që kanë paralizuar bankomate, kanë ndërprerë sinjalin e televizioneve shtetërore dhe kanë komprometuar një depo të kriptomonedhave. Të dyja palët – Izraeli dhe Irani – po përdorin çdo mjet të mundshëm për të goditur kundërshtarin, ndërsa kufiri mes realitetit dhe propagandës bëhet gjithnjë e më i paqartë. Në këtë front pa emër, me spiunë dhe satelitë, është e qartë vetëm një gjë: beteja sapo ka filluar.