Një skenë dramatike është shënuar këtë të martë në Theth, ndërsa Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur. Një qytetar me aftësi të kufizuara është shtrirë në mes të rrugës dhe i ka dalë përpara fadromës, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci. I përlotur, ai u shpreh se objektet prej druri që po shemben janë ndërtuar me kredi dhe borxhe të mëdha. “Nuk ka beton fare. Unë jam i vdekur nëse mi prishin. Jam 200 milionë lekë borxh. Ju lutem shumë, Edi Rama dhe Benet Beci, më ndihmoni,” deklaroi ai mes lotësh.
Por drejtori i IKMT-së, Fatmir Metaj, i kundërshtoi pretendimet, duke thënë se banori në fjalë nuk ka asnjë lidhje ligjore me objektet që po prishen. “Në bazë të ligjit ju kemi njoftuar dhe ju kemi lënë kohë dy ditë rresht. Na keni premtuar se do t’i çmontoni vetë objektet dhe tani po luani me fatkeqësinë e tjetrit,” tha Metaj, duke shtuar se objekti është hedhur në emër të personit me aftësi ndryshe për të shmangur ligjin. “Ju lutem edhe njëherë, mos luani me fatkeqësinë e njerëzve,” përfundoi ai mes thirrjesh për të mos penguar veprimet e strukturave shtetërore.