FLASH :

Drejtësia për Liridonën”: Seanca e radhës më 4 qershor, zbardhen detajet tronditëse të aktakuzës

Seanca e radhës për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt do të mbahet të martën, më 4 qershor, në ora 13:20 në Prishtinë. Lajmin e ka bërë të ditur juristja Flutura Kusari përmes një postimi në rrjete sociale, duke shpërndarë edhe një foto me vëllain e të ndjerës, Leonardin, dhe avokatin e familjes.

“Drejtësi për Liridonën”, shkruan Kusari, duke ritheksuar rëndësinë e ndjekjes së procesit gjyqësor ndaj autorëve të një prej krimeve më të rënda që ka tronditur opinionin publik në Kosovë.

Liridona Ademaj, 30 vjeçe, u vra në mënyrë makabre mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpi me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj. Ajo u qëllua me një plumb në qafë.

Të akuzuar për këtë vrasje janë ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli, së bashku me Granit Plavën, Kushtrim Kokallën dhe Tom Dodajn. Aktakuza e ngritur më 15 janar 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë zbulon një plan të detajuar të organizuar nga vetë Murseli, i cili – për shkak të çrregullimeve martesore dhe motiveve për hakmarrje – kishte kërkuar vrasjen e bashkëshortes.

Sipas prokurorisë, Murseli ishte dakorduar me Granit Plavën që ta kryente vrasjen në këmbim të një pagese prej 30 mijë euro. Fillimisht, planin ia kishte shpalosur Kushtrim Kokallës, i cili nuk kishte pranuar ta realizonte vetë, por kishte ndërmjetësuar kontaktin me Plavën. Ndërkohë, arma me të cilën u ekzekutua Liridona, ishte siguruar nga Tom Dodaj dhe i ishte shitur Murselit për 280 euro.

Rasti ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik, me thirrjet për drejtësi që vazhdojnë të dëgjohen fuqishëm edhe gjashtë muaj pas ngjarjes tragjike.