Dredha shemb “kioskën” dhe e shet si mega-aksion

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, ka inskenuar këtë të shtunë një tjetër aksion “spektakolar” për lirimin e hapësirave publike, duke shembur një ndërtim pa leje në lagjen “Kushtrimi”. Aksioni, i drejtuar nga Inspektoriati për Mbrojtjen e Territorit, nuk hasi asnjë kundërshtim nga banorët dhe u mbyll pa asnjë incident, përveç bujës që u përpoq të krijojë vetë bashkia.

Në një deklaratë publike, Dredha u shfaq vendosur për të “trajtuar çdo ndërtim të paligjshëm sipas ligjit”, duke e paraqitur shembjen e një objekti pak më të madh se një kioskë, si pjesë të një fushate kombëtare për përmirësimin e standardeve urbane. Ndërkohë, IMT njoftoi se ka evidentuar edhe disa objekte të tjera, të cilat mund të shemben në ditët në vijim. Megjithatë, për qytetarët e Vlorës që përballen çdo ditë me ndotjen, zjarret dhe mungesën e shërbimeve bazë, ky “mega-aksion” i Dredhës ngjan më shumë me një show politik sesa me një reformë të vërtetë urbane.