Një burrë amerikan, 47 vjeç, ka pësuar një aksident të tmerrshëm të premten pasdite në Koloseun e Romës, pasi u përpoq të ngjitej mbi gardhin metalik për të realizuar një selfie dramatike.
I identifikuar si shtetas amerikan që jeton aktualisht në Tajvan, burri u pa duke u ngjitur në rrethojat që rrethojnë harkët monumentale të Koloseut – ndoshta për të kapur një pamje më të mirë – kur humbi ekuilibrin dhe u rrëzua, duke u shpuar në shtyllën kurrizore nga një majë e mprehtë e gardhit metalik.
Sipas gazetës italiane Il Messaggero, burri bërtiste i varur nga gardhi deri sa humbi ndjenjat nga plagët e rënda. Dëshmitarët njoftuan menjëherë emergjencën, por mjekëve iu deshën mbi 20 minuta për ta nxjerrë me kujdes nga spike-u metalik.
“Ishte një operacion i ndërlikuar,” tha një nga ndihmësit e emergjencës. “Po humbiste shumë gjak dhe duhej të punonim me kujdes ekstrem.”
Turisti u transportua në spitalin San Giovanni në gjendje kritike (“codice rosso”) ku iu nënshtrua një operacioni urgjent. Mjekët konfirmuan se ai kishte nevojë për mbi 80 qepje, por deri në mbrëmje gjendja e tij ishte e qëndrueshme, ndonëse serioze.
Burri ndodhej në Romë me familje dhe miq prej disa ditësh dhe është marrë në pyetje nga Karabinierët italianë. Shokët e udhëtimit nuk arritën të shpjegojnë çfarë e shtyu drejt aktit të rrezikshëm. Ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga policia lidhur me ndonjë ndjekje penale të mundshme.
Gazeta italiane komentoi se burri mund të ketë qenë në kërkim të “një pamjeje më të afërt të Koloseut, ndoshta për një selfie të paharrueshme.”
Ky incident është i fundit në një varg ngjarjesh që përfshijnë turistë amerikanë në Koloseun historik. Në vitin 2021, dy turistë nga SHBA u gjobitën me 800 euro për hyrje të paligjshme në Kolose gjatë natës, duke pirë birrë brenda rrënojave.
Me mbi 7 milionë vizitorë në vit, Koloseu mbetet një nga monumentet më të vizituara në botë, ndërsa autoritetet italiane kanë paralajmëruar vazhdimisht turistët kundër sjelljeve të papërgjegjshme që dëmtojnë sitin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.