Një labrador i regjistruar si qen udhërrëfyes, me emrin Achi, rrezikoi të ekzekutohej pasi u shpëtua në det dhe mbërriti në Afrikën e Jugut pa dokumentacionin e nevojshëm veterinar. Qeni, së bashku me një baba zviceran dhe vajzën e tij, po udhëtonin me një jaht 45-futësh përgjatë bregut lindor të vendit, kur dallgë 6 metra dhe erëra të forta shkatërruan velat dhe fikën motorin e mjetit lundrues.
Familja, në panik, kërkoi ndihmë nga Instituti Kombëtar i Shpëtimit në Det (NSRI), i cili arriti në kohë për t’i shpëtuar. Por linjat e tërheqjes u këputën dy herë dhe ekuipazhi u detyrua të braktisë jahtin, duke shpëtuar vetëm veten dhe qenin besnik. Të tre arritën në breg të sigurt, të rraskapitur por pa lëndime.
Nga heroizëm në absurditet burokratik
Në vend që të gëzonin shpëtimin, familja mori një lajm shokues: autoritetet urdhëruan që Achi të eutanizohej, duke pretenduar se pa dokumente hyrëse mund të mbante sëmundje. Ky vendim ndezi zemërim publik, me dashamirës të kafshëve që e quajtën rastin “çmenduri” dhe “çnjerëzor”.
“Ky qen u soll në vend vetëm si pasojë e një emergjence detare, jo kontrabandë,” tha një aktivist. Një tjetër shtoi: “Ai mbijetoi fundosjen e jahtit dhe tani donin ta vrisnin sepse s’kishte letra? Është absurde.”
Shpëtimi i dytë i Achi-t
Në një përpjekje të dëshpëruar, konsullata zvicerane në Cape Town i kërkoi qeverisë të ndërhynte. Zgjidhja erdhi nga ministri i Bujqësisë, John Steenhuisan, i cili urdhëroi teste mjekësore për qenin. Rezultatet konfirmuan se Achi ishte plotësisht i shëndetshëm, duke i shpëtuar jetën.
Një zëdhënës i NSRI-së tha: “Kemi 100% konfirmim se qeni Achi do të mbetet gjallë dhe i shëndetshëm. Jemi mirënjohës ndaj komunitetit lokal, autoriteteve dhe mediave për përpjekjet e tyre. Ky është një shembull se çfarë mund të arrihet kur komunitetet dhe institucionet punojnë së bashku.”
Pas një beteje me detin dhe burokracinë, Achi është tani i sigurt, duke u bërë simbol i solidaritetit dhe shpëtimit në momentet më kritike.







